Ish kryeministri Sali Berisha, i ftuar në emisionin “Open” me Eni Vasilin, në ekranin e Top Channel, sqaroi edhe akuzat e bëra në drejtim të tij, për hapjen e pastudiuar të tregut të universiteteve.
“Unë për asnjë moment nuk kam bërë asnjë hap në drejtim të shkatërrimit të arsimit, madje përkundrazi. në qeverisjen time, unë favorizova universitetet, për të rritur nivelin e arsimimit në vend. Vetëm 4 universitete private kanë qenë gjatë qeverisjes time, të tjerat ishin shkolla profesionale”, deklaroi Berisha.
Ish kryeministri theksoi se shumica e këtyre të etiketuarve si universitete, ishin shkolla profesionale, që nuk detyronin shtetin ta njihte, ndërsa tha se diploma false janë lëshuar edhe nga universitete prestigjoze.
“Sa i përket çështjes së diplomave false, jepen edhe sot, madje nga universitete shumë prestigjoze. Ato që ju i quani universitete, ishin shkolla profesionale dhe pavarësisht se ofronin edhe programe studimi në drejtësi, nuk e detyronin shtetin që t’i njihte ato diploma.
Unë vijoj të jem i bindjes që duhet t’u jepet mundësi studimi të gjithë atyre që kanë mesatare mbi 6, pasi ka studime që konkludojnë se kjo i bën vetëm mirë nivelit të arsimimit dhe të kulturës në vend”, u shpreh ish kryeministri Berisha./TCH