Bizneset pa para cash mund të jenë më të sigurta dhe më të përshtatshme, por a janë më të popullarizuara me publikun në përgjithësi?
Pas një grabitjeje në pub-in e tij The Crown and Anchor, në Londër, Arbër Rozhaja i tha vetes mjaft me kaq dhe ndryshoi komplet taktikë. Hajdutët shkojnë gjithnjë drejt kasave për të marrë paratë, por … po sikur aty të mos ketë para fare?!
Rozhaja, drejtues operacional në firmën mëmë të pub-it, London Village , llogariti volumin e transaksioneve në para të gatshme dhe u shokua.
“10-13% të të ardhurave totale ishin në para Cash dhe pjesa tjetër ishte me kartë” – tha ai.
Pra, në muajin tetor, pub-i i tij funksiononte plotësisht dhe vetëm me kartë. Pa para të gatshme. Konsumatorët mund të përdorin karta debiti, karta krediti apo Android Pay dhe Apple Pay.
Por paratë në dorë nuk ju a pranon njeri. Në derën hyrëse lexohet : “Ju kërkojmë ndjesë por është epoka dixhitale”.
Ajo që filloi si një masë për të penguar grabitësit, është tani rezultat i një vendimi të kohës në biznes, sipas Rozhajës.
Për stafin e bizneseve të London Village, përfitimet e punës pa para cash përfshijnë shumë benefite, të tilla si: nuk i duhet të numërojnë grumbuj të pafund monedhash në fund të natës, menaxherët nuk kanë më nevojë për të udhëtuar nëpër qytet me çanta parash të gatshme që të depozitohen në bankë.
Rozhaja thotë se pavarësisht se ka ankesa për këtë fakt nga klientët, shumica e mendimeve ka qenë pozitive.
Por, a po humbet paraja cash në Britaninë e Madhe?
Institucionet që hedhin poshtë paranë cash po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në mbarë botën.
Për shembull, në supermarketin e ri në Singapor, ku robotët paketojnë çantat, paraja cash nuk vlen.
Madje edhe Ikea në Suedi ka eksperimentuar për blerje pa para të gatshme.
Ekzistojnë gjithashtu konsiderata etike. Disa argumentojnë se institucionet pa para cash janë diskriminuese, pasi e bëjnë më të vështirë ose të pamundur për klientët e pastrehë ose ata që nuk kanë llogari bankare të blejnë.
Shqetësime të tilla kanë çuar në sfida ligjore kundër ndërmarrjeve pa para cash në SHBA.
A është zoti Rozhaja i shqetësuar për largimin e njerëzve nga ky fakt? “Jo, është e lehtë të marrësh një kartë të parave me parapagim online. ” – thotë ai.
Edhe pse paratë cash padyshim që po përdoren gjithnjë e më pak, sigurisht nuk janë drejt zhdukjes./SCAN