Nga Mero Baze
Debati për tetë pikat e kërkuara nga studentët si parakusht për të biseduar me qeverinë është fallco, pasi tetë pikat nuk janë të vështira për t’u realizuar, por nuk janë as shpëtimtare për Universitetin. Ato duket se janë më shumë reagim i studentëve, prej mizerjes në të cilën është katandisur arsimi i lartë në Shqipëri dhe një rrugëzgjidhje për hallet e tyre, por jo një rrugëzgjidhje për hallet e Universitetit.
Por nuk është kjo arsyeja që atyre nuk po u thuhet “Po” nga qeveria qysh në fillim.
Halli i qeverisë është pak më i ndryshëm nga halli i studentëve. Duket se Edi Rama kërkon që me gurin e studentëve të vrasë dy zogj, edhe tarifat e tyre, dhe piramidën fallco të arsimit në Universitet, ku hyjnë që nga plagjiatura e pedagogëve, e deri tek keqadministrimi financiar i tyre.
Për këtë arsye, ndërkohë që studentët duket sikur bëjnë një betejë me qeverinë, qeveria po bën betejë t’i bëjë ata aleatë kundër të tretëve, atyre që drejtojnë Universitetet.
Dhe kjo është arsyja që Edi Rama zgjat betejën me ta. Nuk është se ai dëshiron t’u japë studentëve më shumë se sa ata duan, por ai do ta përdorë hallin e tyre, për të zgjidhur dhe hallin e tij.
Opozita nga ana tjetër, nuk është se ka dëshirë të plotësohen tetë pikat e studentëve, por të shtojë dhe ajo hallet e saj mbi tetë pikat. Ashtu si Edi Rama kërkon të përdorë protestën e studentëve për të shkundur Universitetin, opozita kërkon të përdorë protestën e studentëve për të shkundur qeverinë.
Dhe duket se ajo po bën çmos të krijojë një gjeografi artificiale protestash, që në fakt po e lodhin kot.
Plotësimi i tetë pikave nga qeveria për studentët është fundi i shpresës së opozitës, ndaj kanë ndërhyrë në protestë, kanë ndarë palët, kanë krijuar llogoret e tyre dhe duan që protesta të shkojë në drejtim të tyre.
Nga ana tjetër, dhe organizatorja e protestës së studentëve, “Lëvizja për Universitetin”, duket se ka ndryshuar “kuajtë” gjatë garës dhe ka shtuar në fakt atë që për të është thelbësore, goditja e ligjit për Arsimin e Lartë, dhe jo vetëm tetë pikat.
Plotësimi i tetë pikave do të ishte një zgjidhje mekanike e krizës dhe nuk do sillte asgjë.
Ndaj retorika për tetë pikat, duket se është vetëm një arsyetim që palët të vazhdojnë betejën për të marrë atë që duan.
Qeveria kërkon të tejkalojë tetë pikat për të shkundur Universitetin, opozita kërkon të tejkalohen tetë pikat për të rrëzuar qeverinë, “Lëvizja për Universitetin” kërkon të tejkalohen tetë pikat, për të rrëzuar Ligjin për Universitetin.
Secili është në hallin e tij ndaj dhe nuk mund të ketë dialog. Por të paktën t’u thonë studentëve se nuk bëhet fjalë për tetë pika, që të mos thahen mes të ftohtit “duke pritur Edi Ramën me tetë pika”, si babagjysh të Vitit të Ri.