Real Madrid e ka mbyllur fazën me grupe të Champions League në mënyrën më të keqe të mundshme. Kampionët e Europës në fuqi, në fakt janë fundosur në shtëpi nga CSKA-ja e Moskës, që ka fituar në “Santiago Bernabeu” me rezultatin e pabesueshëm 3-0. Kjo ka qenë humbja më e rëndë e pësuar nga “Los Blancos” në ndeshjet e luajtura në shtëpi në kompeticionet europiane.
Chalov (37′), Schennikov (43′) dhe Sigurdsson (73′) kanë qenë autorët e golave për rusët, të cilët kanë arritur të marrin fitoren e dytë ndaj Real-it pas asaj 1-0 të marrë në ndeshjen e luajtur në Moskë 2 tetorin e kaluar.
Një arritje e jashtëzakonshme që nuk i ka shërbyer për asgjë rusëve, të cilët e kanë mbyllur Grupin G në vendin e fundit për shkak të fitores 2-1 të marrë nga Viktoria Plzen kundër Roma-s, që i ka siguruar çekëve vendin e tretë dhe pjesëmarrjen në Europa League.
Kovarik (62′) ka kaluar në avantazh vendasit, teksa Under (68′) ka barazuar përkohësisht rezultatin. Chory (72′) ka qenë autori i golit të fitores për Plzen. Roma, që e ka mbyllur ndeshjen me 10 lojtarë pas dy kartonëve të verdhë të marrë nga Pellegrini, e kishte siguruar kualifikimin para këtij takimi.