Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka shprehur habinë e saj për një deklaratë të bërë nga MPJ greke një ditë më parë.
Si nje vend evropian, anëtar i Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut, Shqipëria njeh juridiksionin e Gjykatës së Strasburgut dhe zbaton vendimet e saj.
E drejta e pronës është e drejtë kushtetuese që gëzohet pa dallim dhe në mënyrë të barabartë nga të gjithë shtetasit, në mënyrë individuale, pavarësisht përkatësisë kombëtare. Për më tepër, të gjithë shtetasit gëzojnë të drejtën e ankimimit efektiv në instancat gjyqësore në rast pretendimesh për shkelje të këtyre të drejtave.
MEPJ shpreh keqardhjen për deklaratën e MPJ-së greke e cila mbështetet në shtrembërim të fakteve. Dëshirojmë të sqarojmë se VKM-ja në fjalë ka si objekt evidentimin e zonave me interes për zhvillimin e turizmit të cilat gëzojnë statusin me “Pronësisë Shtetërore”.
MEPJ rithekson se shteti shqiptar ka qenë dhe do të jetë gjithnjë i angazhuar në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave. Ky angazhim dëshmohet nga anëtarësimi ynë në Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare, garancitë kushtetuese në këtë fushë, si dhe miratimi i legjislacionit specifik për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë.
Duke i bërë thirrje palës greke për lexim objektiv të fakteve dhe realitetit, dëshirojmë të kujtojmë se kuadri i pasur ligjor, në pajtim me praktikën evropiane, sikundër tradita e shkëlqyer e bashkëjetesës shoqërore në Shqipëri përbëjnë një shembull pozitiv për t’u ndjekur në rajon.