Disa protestojnë te Ministria e Arsimit, disa në rrethrrotullimin e Zogut të Zi, disa te Kryeministra.
Protesta e studentëve ka humbur kohezionin e fillimit, univokalitetin e saj për t’u shndërruar në fraksione protestash ku duken qartë duart e partive politike të opozitës.
Qershia mbi tortë, ishte deklarata e kryeministrit Edi Rama, që nuk heq dot dorë nga protagonizmi:
“Ju mbytën me presionin kundër Dialogut se do ju përçaja unë,po tani kush ju përçau?! Mos e vrisni mendjen,unë jam me studentët jo me maskat e lsiPD dhe s’ju le në baltë🤗Jo ato pikat, po shumë më tepër se aq do bëjmë së bashku. Me të nisur Dialogun, s’ndalemi më #përUniversitetin”.
Nuk është çudi që i njëjti njeri ta shfrytëzojë protestën pa produkt në kapital politik pikërisht sepse atë e infektoi opozita e Luzlim Bashës, Sali Berishës dhe Monika Kryemadhi.
Banditimi i protestës nga njerëz të këtyre tri partive ishte alibia më e mirë për Edi Ramën që të luante fijet e menaxhimit të një krize që përndryshe duhet të çonte në të tjera drejtime.
Epitafi i protestës është fakti se publikisht, në emër të saj po flet Sali Berisha, i cili ishte i ftuar në A2, për të sqaruar se protesta lindi si dialektikë e ndryshimeve sasiore që çojnë në ndryshime cilësore, shkruan Respublica.
Sot nis një ditë e re për Tiranën. Mund të ketë zhurma dhe bllokime rrugësh, por ngjan se gjallëria e këtyre ditëve do t’i lërë vendin reanimacionit të zakonshëm.
Sepse protesta u grabit ndërkohë që qytetarët nuk ishin gati ta merrnin atë në dorë.
Ndoshta ky ishte një hap i parë, një sinjal. Dhëntë Zoti të jetë kështu!/TemA