Nga Kastriot Lamçe
Lulzim Basha e ka kuptuar tashmë qartë mesazhin e atit të tij politik, Sali Berisha, që me tone të forta pati deklaruar “se në gjendjen ku ndodhet sot, Partia Demokratike nuk ka asnjë shans që të vijë në pushtet me votë”.
E ka kuptuar çdo herë që ndërmori aksione politike gjatë këtij viti, më së shumti protesta në rrugët e Tiranës, të cilat mblodhën rreth vetes vetëm një grusht militantësh besnikë të Bashës. Të gjithëve na kujtohet dështimi spektakolar i protestës së majit 2018 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e etiketuar si “Protesta e Babaleve”.
Pasi kishte publikuar një audiopërgjim përmes të cilit akuzohej vëllai i Fatmir Xhafajt për trafik droge, Basha ushqeu iluzionin se kishte zbuluar një skandal që rrëzonte tërësisht legjitimetin e qeverisë. Një “skandal” i tillë dhe vetë Basha në rolin e prokurorit që kishte zbuluar kriminelët në qeverinë Rama, nuk frymëzoi askënd. Protesta, u refuzua nga qytetarët shqiptarë. I gjendur në një situatë të tillë me lakun në fyt, në paaftësinë për të frymëzuar shqiptarët, në pamundësinë për të mbledhur njerëz në mbështetje të axhendës së tij politike, Lulzim Basha u bind që me votë nuk ka asnjë shans të vijë në pushtet. E vetmja mënyrë mbijetese përballë vetmisë politike, për të është ta kthejë Shqipërinë përmbys.
Nuk është rastësi që në çdo tubim të PD ka dhunë. Dhuna dhe kaosi janë mënyra e vetme e shprehjes së Lulzim Bashës, në kushtet kur shqiptarët nuk e dëgjojnë, nuk e ndjekin më. Protesta e fundit e studentëve ishte një fije shprese në sytë e Lulzim Bashës. Njësoj si i mbyturi që kapet pas fijes së kashtës, Basha mendoi se kjo protestë duhej përdorur politikisht, sepse vetë, një të tillë nuk do kishte shansin ta zgjonte kurrë, aq më pak me të rinjtë.
Jo vetëm që tentoi ta përdorë politikisht, duke infiltruar disa militantë, por në mënyrë të paskrupujt ua vodhi protestën studentëve, duke krijuar akte skandaloze dhune dhe brutaliteti përmes njerëzve të vetë. Nuk ishin të rinjtë ata që grushtuan njëri tjetrin dhe pedagogët, ishin militantët e PD. Në Zogun e Zi, siç provuan mediat, ishte Flamur Noka dhe Grida Duma që urdhëronin me whatsapp të rinjtë e forumit rinor për të bllokuar zonën, ashtu sikurse edhe para kryeminsitrisë.
Lulzim Basha ia doli që të ketë një sukses të vetëm, të përçajë studentët protestues përmes dhunës dhe kaosit. Por ai vijon t’i trembet konstatimit të liderit të tij shpirtëror, Sali Berisha: “në këtë gjendje PD nuk ka për të ardhur kurrë në pushtet”. Mes frikës dhe paaftësisë, e vetmja rrugë për të është ta shkatërrojë, ta barbarizojë, t’i vërë flakën po të mundet Shqipërisë. T’i bëjë shqiptarët të besojnë se konfrontimi është zgjidhja, jo dialogu. Këtë u përpoq të bëjë edhe me studentët, të cilët nuk duhet të bien në kurthin e një njeriu që pasi i përçau, do t’i nxisë kundër dialogut për zgjidhjen e problematikave studentore.