11 dhjetori i 2018 do të shënohet në kalendar si një ditë kthesë në historinë e drejtësisë shqiptare, pasi mori jetë një ndër institucionet më të rëndësishme në kuadër të reformës në drejtësi; Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Pas shumë zvarritjesh, 295 prokurorë nga 305 në total, votuan këtë të martë dhe zgjodhën gjashtë anëtarët e Këshillit, cka i hap rrugë krijimit të Prokurorisë Speciale, një institucion që do të hetojë korrupsionin në nivele të lartë.
Procesi i votimit nisi në orët e para të mëngjesit, për të përfunduar në mbrëmje vonë. Në garë për gjashtë vende, ishin 10 kandidatë nga të gjitha nivelet.Ndryshe nga sa thuhej nën ze, se mbledhja e përgjithshme e prokurorëve, mund të bojkotohej, në fakt ndodhi krejt ndryshe.
Pjesëmarrja ishte masive dhe nuk pati asnjë debat. Mesa duket në këtë pikë, ndikuan jo pak thirrjet që ditët e fundit, lëshuan selitë kryesore diplomatike në Shqipëri.Në fund të procesit, u bënë publike edhe emrat e të votëbesuarve, që sëbashku me pesë anëtarët joprokurorë të zgjedhur prej një viti, do të marrin në duar frerët e prokurorisë shqiptare.Kështu, nga prokuroria e Përgjithshme, u zgjodh Kosta Beluri, i cili doli fitues përballë Anila Lekës.
Prokurorët e Apeleve, Arben Dollapaj dhe Bujar Sheshi u shpallën automatikisht fitues, përderisa nuk kishin konkurentë në garë.
Më e etheshme ishte gara mes gjashtë kandidatëve të prokurorive të shkallëve të para, ku vetëm tre prej tyre do të mund të dilnin fitues. Mes tyre, më shumë vota grumbulluan Antoneta Sevdari, Gentian Osmani dhe Besnik Cani, duke zënë kështu tri vende në Këshill. Dritan Prenci, Besnik Muci dhe Vate Staka, nuk i bindën dot kolegët për ti votëbesuar si anëtarë të qeverisë së institucionit të akuzës.
Që nga ky moment posti i prokurorit të Përgjithshëm do të jetë honorifik, pasi njerëzit e akuzës do t’i japin llogari përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Pasi të konstituohet, një nga detyrat parësore, që Këshilli duhet të përmbushë është hapja e garës për prokuror të përgjithshëm, post që mbahet përkohësisht prej një viti nga Arta Marku.