Afro gjashtë vite më parë – tetor i vitit 2012 – muaj pasi në një protestë të dhunshme do mbeteshin të vrarë 4 persona – 21 Janar – do shënohej një tjetër viktimë, jo i vrarë por i vetëvrarë; më saktë i vetëdjegur, që më pas do të ndërronte jetë në spital.
Ky do ishte Lirak Bejko. I ndjeri, një ish-i përndjekur politik, së bashku me ca shokë fati, vendosi të hyjë në grevë urie me kërkesën klasike të çdo të përndjekuri në vite, atë për dëmshpërblim.
Në qeveri ishte Sali Berisha. Dhe siç dihet, në pjesën më të madhe, vota e ish-të përndjekurve ka shkuar për PD-në.
Ndërkohë, për ironi, protesta e parë kur kjo parti erdhi në pushtet në vitin ’92, ka qenë ajo e një grupi të përndjekurish politikë, aty nga viti ‘93, të cilët u nxorrën me forcë nga policia e kohës, sapo ia nisën një grevë urie, nga godina ku ishin strehuar.
Protesta e dytë ka qenë një vit më pas, ajo e banorëve të përmbytur nga Liqeni i Fierzës për shkak të hidrocentralit, zhvilluar në Kukës.
Por le të rikthehemi te rasti Bejko. Për gati tre javë, ai e të tjerë, ku veçonte Gjergj Ndreca si më i zëshmi, u ngujuan në grevë, por që për shkak të vendndodhjes së saj, në afërsi të një studioje pikture të Tirana e re, u intimiduan nga qeverisja duke u akuzuar se ishin vegla në funksion të opozitës, më saktë të Ramës, pasi aludohej se studioja kish qenë e të atit, Kristaqit.
I gjithë qëndrimi i Berishës mbeti në këtë pikë dhe nuk luajti që aty, derisa u ndërmorr akti vetëflijues i Bejkos. Thënë me fjalë të tjera, mosqasja qeveritare për dialog, çoi në aktin ekstrem.
Edhe sikur ata vërtet të ishin të yshtur politikisht, dialogimi nuk ka pse përjashtohej, aq më tepër kur ishte fjala për individë të një shtrese delikate për vetë fatin tragjik.
E sot kur ka një tjetër protestë, të pakrahasueshme me atë të dhjetë e kusur ish-të përndjekurve me bilanc një të vdekur, me studentë që janë ngritur masivisht me ca kërkesa ekonomiko – arsimore, skenat janë krejt ndryshe.
Qeveria, më saktë kryeministri Rama, me të gjitha kusuret e tij, edhe me arrogancën që ia ngjeshin si defekt të rëndë etik, është dorëzuar duke bërë të përunjurin me ftesën për dialog. Ndërsa pala përballë bën stoiken: Jo! Cila do jetë kostoja?/tesheshi