Nga Mero Baze
Sali Berisha është thirrur të ndërhyjë në linjë telefonike në një studjo televizive dhe ka nisur bisedën duke sulmuar me një fjalor të paprecedent gazetarin Artan Hoxha duke I thënë “vrasës” dhe “pjesë e bandave”. Është fat që Artan Hoxha nuk u intimidua dhe nuk ju kthye me akuza Sali Berishës, por I numuroi faktet publike për vrasjet e tij, që nga Tropoja deri më 21 Janar, të cilat I kishte filmuar live dhe që ai nuk ja harron.
Por përtej vendosmërisë së tij personale si gazetar, rasti në fjalë është një ilustrim I shëmtuar I inferioritetit që kanë drejtuesit kryesorë të emisioneve në Shqipëri ndaj Sali Berishës. Në shumicën e tyre, për të mos thënë të gjithë, së paku prej vitit 2008, kur Sali Berisha u vu në hall me shtypin, pasi do mbronte të vrarët e djalit e më vonë të vrarët e vet, si dhe historitë e tjera të korrupsionit, këta “moderatorë” kanë vetëm një hall në jetën e tyre, të bindin Sali Berishën ta kenë në studjo, pa nuk do të lejojnë njeri ta preki.
Kështu më ka ndodhur mua dhe Andi Bushatit në Prill të vitit 2008, Kur Fevziu na lajmëroi se nuk mund të ishim në emission me Berishën , dy orë para se të fillonte pasi ne “kishim hedhur baltë për Gërdecin”, ndërkohë në emision na sulmoi të dyve me fjalorin më të ulët, pa qenë aty.
Më tej kjo histori ka vazhduar me çdokënd që e ka thirrur në studjo, duke e siguruar me një panel gazetarësh bashkëpunues me të.
Ky I sotmi ishte rasti që Sali Berisha zgjodhi të ballfaqohej vet me Artan Hoxhën, pasi nuk duron dot këtë historinë e Marrëveshjes së re me Greqinë që damkos historinë e tij politike dhe për ta intimiduar atë, e nisi bisedën, duke e sulmuar si vrasës.
Moderatorja e emisionit nuk bëri asnjë përpjekje, qoftë dhe etike, ta ndalte ose ti ndërpiste linjën e telefonit, por sillej sikur të dy akuzat ishin relative, dmth dhe kur I thoshte Sali Berisha “vrasës” Artan Hoxhës, ishte njësoj sikur I thoshte dhe Artan Hoxha, vrasës Sali Berishës, ndërkohë që ky I fundit, ja ka filmuar vrasjet live.
Nuk mjaftoi kjo por dhe duke mbyllur emisionin Sali Berisha e akuzoi sërisht Artan Hoxhën si pjesë e bandave dhe moderatorja ndërhyri si “negociatore” që do ti pajtojë, ti ul bashkë përsëri.
Unë nuk mendoj se Artan Hoxha ka nevojë për ndihmën time për ta mbrojtur, pasi u mbrojt shumë mirë vet. Por inferioriteti I drejtuesve të emisioneve televizive ndaj Sali Berishës, dhe fakti që atij ja quajnë normale kërcënimet ndaj gazetarëve, tregon qartë për standartin e lirisë së shtypit që ai ka fiksuar në mendjen e tyre, si njeri që ka të drejtë të vras, të fyej dhe të sulmoj, pa I kërkuar njeri llogari. Bile dhe më keq akoma, në vend që ti zemëroj drejtuesit e emisioneve, u bën tu shkëlqejnë sytë kur u premton se mund të jetë përsëri në studjon e tyre. Edhe si vrasës gazetarësh!