Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë protestës së sotme në unazën e re lëshoi akuza ndaj Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri.
“E keni pyetur Damian Gjiknurin se çfarë bënte në Amerikë, me 25 qershor, në të njëjtën ditë që u regjistrua kompania fantazëm? Po apo jo? Nuk e keni pyetur. Pse nuk e pyesni? Është detyra juaj ta pyesni. Po e pyes unë: Çfarë bëje në Amerikë me 25 qershor, në të njëjtën ditë?”, u shpreh Basha.
Nuk ishte e nevojshme të pyesnim ministrin pasi mjaftoi nje vëzhgim në faqen e tij në Facebook për të kuptuar pse ka qenë në SHBA ministri. Së pari ai rezulton të ketë qenë në Washington dhe New York e jo në Delaware.
Së dyti rezulton se ministri ka qenë në një vizitë zyrtare. Gjatë kësaj vizite të ministrit ai fillimisht është takuar në Departamentin e Energjisë me Zevendës Ndihmës Sekretaren për Energjinë Sandra Oudkirk. Gjithashtu mori pjesë në Konferencën Botërore të Gazit të mbajtur në Washington.
Më tej, ministri Gjiknuri rezulton të ketë takuar një ditë më pas Sekretarin Amerikan të Shtetit Mike Pompeo dhe Sekretarin për Energjinë Rick Perry në pritjen e organizuar në Departamentin e Shtetit.
Një tjetër takim i zhvilluar nga ministri është ai me zv.ndihmës sekretarin e shtetit për stabilizimin e konflikteve Pete Marocco. Ministri ka dhënë intervistë në studiot e Zërit të Amerikës ndërsa ka takuar dhe Drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore Patrizio Pagano.