Gazetari Mentor Kikia ka sulmuar ashpër ish-kryeministrin Sali Berisha, duke thënë se studentët protestojnë edhe kundër tij. Teksa ka komentuar fjalën e Berishës të mbajtur sot në Qytetin Studenti, ku tha se të rinjve iu është vrarë shpresa, Kikia shkruan se një ndër vrasësit është edhe vetë ish-kryeministri.
Gazetari shkruan në rrjetet sociale se ishte Berisha dhe ministrat e qeverisë së tij, që e bënë korrupsionin normë dhe standard shtetëror.
“Zoti Berisha, këta studentë protestojnë edhe kundër jush! E ndoqa fjalimin entuziast të Sali Berishës sot në Qytetin “Studenti”. Opozita e gjithë ishte sot atje e ngazëllyer.
Ja çfarë tha ndër të tjera Berisha: “Të dashur studente dhe studentë, sot prej 4 ditësh kemi një dhjetor të dytë si asnjëherë tjetër universitetet e vendit kanë nisur një betejë të vendosur kundër një regjimi që quhet kakistokraci- nga greqishtja e lartë, më i keqi i të këqijve. Edhe ky regjim është regjimi i Edi Ramës.
Ky regjim ka përqendruar në dorën e vet të gjitha pushtetet. Ky regjim ka mbyllur Shqipërisë dyert e Europës me muret e drogës dhe të krimit. Ky regjim ka varfëruar dhe largon shqiptarët nga Shqipëria njëlloj si në ’91-in. Sepse ka vrarë shpresën në çdo shesh, në çdo rrugë, në çdo vatër, në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare”.
Po Zoti Berisha, është e vërtetë që atyre të rinjve u është vrarë shpresa, ndaj janë aty në rrugë. Por një nga vrasësit jeni edhe Ju, Ju personalisht dhe ish qeverisja juaj 12 vjeçare. Sepse ishit ju dhe ministrat e qeverisë tuaj që e bëtë korrupsionin normë, e bëtë standard shtetëror. Ndaj këta të rinj, janë sot aty për të protestuar edhe kundër jush”, shkruan Kikia.