Nga Endrit Kullaj
KËSHILLË PËR STUDENTËT PROTESTUES: Mendoj se ka ardhur momenti për strategjinë e negociimit, sepse mund të jemi pranë skenarit të mëposhtëm:
KM, nën presionin e vazhdueshëm dhe mungesën e negociatave, vendos të thërrasë rektorët e universiteteve publike, edhe ata nën trysni, dhe pranojnë kërkesën bazë dhe konkrete, përgjysmimin e tarifave. M.q.s. shumica e Bordit është përsëri e qeverisë kjo kalon lehtë fare. Nëse kjo nuk kompensohet nga buxheti i shtetit, atëherë gjendja e universiteteve do të jetë akoma më mjerane. Buxheti i shtetit, në 15 vitet e fundit, ka mbuluar vetem fondin e pagave, madje jo për 12 muajt e vitit. Diferencën e pagave, mbingarkesat e orëve dhe çdo shërbim (drita, ujë, shërbim roje, etj) dhe investime në infrastrukturë ua ka lënë universiteteve t’i nxjerrin nga të ardhurat dytësore, pra tarifat studentore, që përfaqësojnë vetëm 20% të kostove reale, ose edhe më pak për degët teknike.
Në këto kushte, universitetet i kanë futur në garë për të thithur sa më shumë studentë, duke hapur programe të reja, edhe jashtë kompetencave, traditës, etj. Kështu, shumica e universiteteve të rretheve, por edhe në Tiranë po bëhen universale, mbulojnë nga letërsia tek informatika, nga inxhinieria tek shkencat politike. Kuotat po rriten përtej kapaciteteve. Cilësia e mësimdhënies bie, kushtet për realizim praktikash mungojnë dhe ndaj kemi ardhur në këtë situate revolte. Sepse qeveria thotë ‘mos i rrit kuotat se më krijon probleme politike dhe sociale, pra krijo të ardhura duke rritur kuotat’. Pra, nëse nuk negociohet që ulja e tarifave e shoqërohet me rritje të buxhetit (që sapo kaloi), do të shkojmë keq e më keq dhe universitetet publike do të bien në krizë dhe do të mbyllen. Alternativa mbetet privati me tarifa 10-fish më të larta ose studimet jashtë (100-fish më shtrenjtë).
Rekomandoj që t’ju mbështesin në negociata profesorë me integritet të deshmuar, si Erion Kristo, pedagogë me besim të lartë në Zot që nuk i korrupton dot pushteti dhe paraja, por edhe pedagogë që njohin mirë buxhetin dhe administrimin publik etj. Këta nuk do të kenë asnjë të drejtë vendim-marrje, por vetëm këshilluese. DEBAT I HAPUR PUBLIK, jo videokonferencë.
Nëse nuk arrijmë sot, që arsimi të marrë peshën që i takon në buxhetin e shtetit në raport me sektorë të tjerë apo investime, do të katandisemi në një popull 1 mln banorë dhe 80% e buxhetit do të shkojë për ndihmë ekonomike, pensione, check-up dhe emigrantë aziatikë që do të punojnë për koncesionarë që varfërojnë burimet dhe ndotin çdo gjë, sepse këta të fundit u kanë bërë nga një geto ngjitur me fabrikën (sigurisht pa të drejtë vote). O SOT, O KURRË! NËSE NUK E NDRYSHON DOT BUXHETIN, atëherë ta printojë dhe të pikturojë mbi të sepse nuk do të jetë më në fuqi!
*Ndjesë që të citova Erion, por doja edhe të verifikoja nëse është momenti dhe strategjia e duhur për negociim pasi sot, ishe dakord me një strategji për të mos negociuar ende!
Nese nuk e pranoni këshillën modeste, pranoni urimin: Gëzuar 8 Dhjetorin! Mirënjohje që ripërteritë trashegiminë e studentëve të viteve 1990. Faleminderit që ushqeni idealizmin tek brezi ynë që po shuhej duke i lënë vend pragmatizmit dhe dorëzimit!