Ka nisur në Shkodër protesta e sutdentëve që ashtu si ata të Universiteteve të tjera kanë kërkesat e tyre ndaj qeverisë. Studentët e Universitetit “Luigj Gurakuqi” kanë mbushur rrugët me thirrjet e tyre.
Janë 3 kërkesa në total, ku e para është ulja e notës mesatare nga 9 në 7 për studimet në master dhe doktoraturë si dhe të mundesohet liria e zgjedhjes mes provimit dhe temës së diplomës.
Kërkesa e dytë ka të bëjë me rimbursimet për ekspeditat që bëjnë studentët duke kërkuar që të hiqen dhe të jenë pjesë e buxhetit të universitetit.
Kërkesa e tretë është vënia në funksion e godinës së re të universitetit të Shkodrës brenda janarit të vitit të ardhshëm. Studentët e Shkodrës do të vijojne protestat deri në plotesimin e këtyre kërkesave që kanë.
“Unë jam një student i Fakultetit Ekonomik në universitetin “Luigj Gurakuqi”. Disa nga problematikat e tjera që kemi ne janë:
1) Librat që i shiten studentëve me çmime të kripura, që nuk janë gjë tjetër veçse leksione të mbledhura diku tek dhe shitja e tyre si gjoja botime të pedagogëve pa asnjë lloj kriteri dhe kontrolli. Shitja bëhet në mënyrën më të pacipë me një listë emërore ku studentët janë 80% të detyruar që ta blejnë atë libër nga frika që pedagogun i lëndës do t’i ngelë.
2) Mësimdhënia shumë e dobët dhe pa asnjë lloj perspektive me metoda tepër të vjetruara për kohën që jetojmë.
3) Mospërdorimi i laboratorëve për mësimin e programeve ekonomike si: Exel, Financa 5 etj, të cilat të nevojiten sapo të punësohesh në sektorin publik apo privat.
4) Mësimi të jetë më i afërt me praktiken dhe jo teori boshe të cilat nuk na nevojiten askund në punë”, tha një student.