Asnjë shtetas grek nuk do lejohet të hyjë sot në Kakavijë për asnjë lloj qëllimi. Kështu raporton nga Gjirokastra për “BalkanWeb” gazetarja Brikena Metaj duke iu referuar burimeve nga policia.
Ajo tha se rreth 300 persona, shtetas grekë janë kthyer nga policia shqiptare në Pikën Kufitare të Kakavijës sipas të dhënave aktuale.
Mësohet se ka pasur kthime masive të shtetasve grekë që kanë dashur të hyjnë në territorin shqiptar për të marrë pjesë në ceremoninë e 40-ave të Konstandinos Kacifas.
Ndërkohë që ka pasur persona të tjerë që janë konsideruar të rr*zikshëm nga policia e Kakavijës që janë marrë për verifikim nga Kakavija në Komisariat për të kontrolluar dokumentet.
Dje ka pasur persona nga Greqia që kanë shkuar në Bularat e me sa duket nuk do të ketë të tjerë. Forca policie qëndrojnë përgjatë gjithë rrugës Gjirokastër-Kakavijë duke ushtruar kontrolle të rrepta.
Dy tubime do të mbahen sot në rrethin e Gjirokastrës. I pari në Bularat për nder të Konstandinos Kacifas, i cili bën ceremoninë e 40-ave dhe i dyti në qytetin e Gjirokastrës.
Fillimisht në Bularat do të ketë një meshë për Kacifas sipas traditës ortodokse dhe më pas nderime tek varrezat. Nuk dihet nëse do ketë një tubim të ngjashëm antishqiptar si ai i ceremonisë së varrimit të Kacifas.
Gazetarja Brikena Metaj raportoi për “BalkanWeb” se policia e Gjirokastrës ka dhënë leje vetëm për zhvillim të një tubimi paqësor të “një grupi patriotësh”.
Organizatorët e këtij tubimi kanë kërkuar leje për zhvendosjen nga qendra muzeale e qytetit deri në hyrje të tij, në rrugën nacionale te “Ura e lumit”.
Nga ana tjetër polica e Gjirokastrës ka dhënë leje për organizimin e tubimit vetëm në “sheshin e Çerçizit” prej orës 11:00 deri në orën 13:00.
Kujtojmë se prej gati një muaji, mediat greke online kanë shpërndarë njoftimet mbi organizimin e udhëtimit të atyre që duan të jenë pjesë e kësaj ceremonie. Kacifas, u v*a pas disa orëve që q*llonte me a*më në drejtim të forcave të policisë shqiptare më 28 tetor.
Nga ana tjetër Policia a marrë masa për të shmangur incidentet, duke qenë se sot do të zhvillohet edhe tubimi i “patriotëve shqiptarë” për bashkëkombësit që janë v*arë në javët e fundit në Greqi.