Vitet 1970/ Problem me shfaqjen një prej këngëtareve, e kishte shumë të çarë.
Kulmi i nderimit të humorit vlonjat do të ishte organizimi në Vlorë në vitin 2005 i “Ditë të humorit shqiptar.”
Nga Ergys Alushi
Ishte nëntori i vitit 1955.
Që nga ai nëntor, qyteti do të fillonte të qeshte, të dashuronte humorin. Humori do të kthehej në një nga dashuritë më të mëdha të qytetit, bashkë me detin, futbollin e Ditën e Flamurit. Krijohet Estrada Profesioniste e Vlorës. Fillesat e para të shfaqjeve humoristike ishin dhënë që pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kur në tarracën e bankës qendrore të qytetit, organizohej shfaqja “Ora gazmore” e cila dëgjohej në të gjithë sheshin nga altoparlantët.
Emrat e parë të aktorëve ishin; Myqerem Ferra, Gaqi Vishi, Leka Kruta, Piro Sava, Minella Mita, Vangjel Panozaqi, Evgjeni Shtrepi, Meliha Ferra.
Këngëtar do të ishin; Meliha Doda, Reshat Osmani, Konstandin Thano.
Instrumentistët; Rudolf Sarreta, Taqi Diamanti, Kol Ceca, drejtues muzike Themistokli Mone.
Skenograf; Behar Leskoviku.
Në periudha të ndryshme në Estradë, do të afroheshin të tjerë aktorë. Qirjako Sava, Petraq Gega, Agron Hamo, Tefta Çiraku, Koço Nauni, Mane Lumani, Muhamet Lika, Afrim Agalliu, Disa nga premierat më të arritura në vitet e para të Estradës janë; “Të fala nga fshati”, “Maska dhe fytyra”, “Zëri i gruas”, “Gati pompa”, “Në botën e fëmijëve”, “Xhevahiret e orës 19” etj. Në vitet më vonë deri në ketë 61 vjetor, nga kjo Estradë, do të dalë një nga simbolet e Vlorës, që jo më kot morën “mbiemrin” Vlora., “Katër parodistët e Vlorës.” Katër vlonjatët, humoristët e dashur anembanë vendit, në çdo kohë e në çdo sistem. Kulmi i nderimit për humorin vlonjat dhe Estradën e qytetit do të ishte organizimi në Vlorë në mesin e muajit nëntor të vitit 2005 “Ditë të humorit shqiptar”, kur do të vinin në Vlorë për të konkurruar Estradat dhe aktorët më të mirë të humorit shqiptar, nën kujdesin e vlonjatit bujar Bujar Leskaj. Që nga ai vit, në Vlorë nuk do të kishte më asnjë lloj organizimi apo kujdesi nga Ministria e Kulturës,.
Kur Estradës i kërkohej të angazhohej me zgjedhjet
“Sikur Estrada të kish përgatitur një shfaqje të tërë me tematikë për zgjedhjet, do të ishte një gjë shumë e mirë” Fjala ishte për zgjedhjet e 20 shtatorit 1970. Kritika e kohës , kërkonte edhe nga Estrada që t’i kushtohej zgjedhjeve. Por, skenaristi Kujtim Shehu dhe regjisori, Myqerem Ferra, nuk e kishin marrë në konsideratë një kërkesë të tillë me përjashtim të “një recitimi që futej si pykë në program” Ishte shfaqja e Estradës me titull “Banorët e pallatit tonë”e vitit 1970. Kritika komuniste e kohës e konsideronte Estradën si “një gazetë folëse, tribunë propagandistike dhe edukative. Si e tillë, duhet të kishte të zhvilluar patjetër sensin politik…” Dhe të mendosh që megjithatë njerëzit e thjeshtë që shkonin në Estradë, ndjeheshin mirë dhe qeshnin shumë, me shfaqjet e saj, humorin, skeçet, paroditë, pantonimat, këngët etj.
Sa të çarë e kishte fustanin këngëtarja?
Ishin provat gjenerale të shfaqjes së Estradës “Merrni ç’ju takon” dhe për ta ndjekur ishin të pranishëm drejtuesit kryesorë të pushtetit në Vlorë. Në mbarim të shfaqjes të gjithë ata e dhanë pëlqimin dhe të nesërmen kur shfaqja u dha për publikun, salla ishte plot dhe u duartrokit gjatë nga spektatorët. Por të nesërmen paradite në zyrën e drejtorit të teatrit, bie zilja dhe ishin nga Komiteti i Partisë, instruktori i këtij komiteti. Ka lindur një problem me shfaqjen – tha ai – me fustanin e njërës prej këngëtareve, e kishte shumë të çarë. Pas insistimit të drejtorit se kush ishte ankuar për fustanin e këngëtares, instruktori iu përgjigj se “ishte ankuar sekretari i rinisë së rrethit!?”
“Të zgjidhet kjo çështje-ishte urdhri i tij dhe pas kësaj, drejtori i teatrit dha urdhër që e çara e fustanit të mbyllet, edhe pse skenografi ishte kundër dhe këngëtarja mbeti e fyer.
“Pallati 176” i Vlorës
Në ditët e para të Majit 1987, në teatrin e Vlorës nuk gjeje dot bileta.
Çdo mbrëmje salla ishte plot dhe jashtë saj, mbeteshin po aq. Kërkesat ishin të shumta. I gjithë qyteti donte të shkonte në teatër. Nuk ishte Estrada, siç ndodhte shpesh që krijonte situate të tilla, por trupa e teatrit të dramës. Shfaqej komedia “Pallati 176”. Në një “garë” të fortë me Teatrin Kombëtar, që e kishte shfaqur pak kohë më parë. Por, ndërsa Tirana kishte, Roland Trebickën, në rolin e Jovan Bregut, Vlora kishte të madhin Albert Verria. Kaq mjaftonte për të garantuar suksesin.
Regjisori i sa e sa shfaqjeve në teatrin e Vlorës, JorgaqTushe, kishte goditur në shenjë me aktorët e zgjedhur, ndaj dhe shfaqja i kaloi kufijtë e një suksesi lokal. Mungesa e biletave edhe pse salla ishte plot çdo mbrëmje, do të ndihej dhe në qytetin e Fierit, përgjatë një muaji. AfërditaTushe, Vladimir Habili, Adem Gjyzeli, Resmie Ruci, Atiqet Bendo, Arben Tartari dhe Radovana Kristoforiti, do të shkëlqenin në mbrëmjet e shumta, në teatrin e Vlorës.
Ata e kanë mbiemrin…”Vlora”
“4 parodistët e Vlorës” janë të njohur e të dashur në të gjithë vendin, nga të gjithë shqiptarët.
Ata kanë një jetë të tërë në skenën e Vlorës e të gjithë vendit, por edhe jashtë Shqipërisë.
Vazhdojnë të japin shfaqje e të realizojnë shfaqje të reja, edhe pse ashtu si i gjithë arti ndiejnë mungesat e problematikat, kur për ta mungesa kryesore është ajo e libretistit apo edhe e vëmendjes së drejtuesve të kulturës edhe pse ata ndryshe nga të gjithë zhanret e tjerë në qytet, vazhdojnë t’i mbushin sallat plot e të japin për net të tëra shfaqjen e tyre. Në bisedë me Agron Hamon mëson se janë duke përgatitur një shfaqje të re e cila pritet të nis nga provat pas përfundimit të shfaqjes së teatrit të dramës. Mosha bën të sajën, por ata janë ende energjikë në kërkimin e materialit, provat e zërit dhe premtimin për një shfaqje të bukur.
Kush janë “4 paroditët e Vlorës”
Ata janë Agron Hamo, Afrim Agalliu, Muhamet Lika dhe Mane Lumani.
Janë të njohur në të gjithë Shqipërinë dhe nga të gjithë shqiptarët dhe bashkë me ata, është njohur edhe emri i Vlorës, sepse ata janë thjesht dhe vetëm “4 parodistët e Vlorës”Por edhe pse kanë një “mal” me tituj e çmime në karrierën e tyre artistike dhe njihen si “fara e hillësit”, si thotë populli, ata vazhdojnë të jetojnë të thjeshtë dhe me problematikat e jetës së çdo qytetari tjetër.Ata jetojnë midis nesh, ecin në rrugët e Vlorës, takohen e pinë kafe me shokë e miq të vjetër, duke vazhduar të dhurojnë emocione e të qeshura. Është shumë e vështirë ta përmbledhësh jetën dhe veprimtarinë e tyre artistike në një, dy apo dhe më shumë faqe. Gjithçka nis nga ndërmarrjet e dikurshme të realizmit socialist dhe me njërin prej tyre, Agron Hamo, për t’u bashkuar ma pas të katërt në vitin 78, kur një grup parodistësh të rinj e të talentuar, bënë parodinë e parë të Pëllumb Kullës, “Hallet e Demos”dhe që nga ajo ditë ata nuk u ndalën më dhe do të njihen me emrin artistik, “4 parodistët e Vlorës”.
Agron Hamo
Ka qenë vetëm 16 vjeç, kur midis shumë amatorëve të Sodë PVC, Nikollaq Papa, shef muzike në Sarandë, e zbuloi se kishte një talent të veçantë. Asaj kohe të gjitha ndërmarrjet e qytetit të Vlorës, zhvillonin një jetë të pasur me veprimtari të ndryshme artistike e sportive, nga ku kanë dalë në vazhdimësi edhe artistë e sportistë të mirënjohur të qytetit. Agron Hamo angazhohet në trupën e shfaqjeve të ndërmarrjes dhe në vitin 1967 fitojnë çmimin e parë të festivalit të këtyre trupave të ndërmarrjeve që zhvillohej në Tiranë, në rang kombëtar, ku Agroni luajti një parodi së bashku me Jorgaq Tushe me titull, “Kthimi i ushtarëve nga Vietnami” Kaq do të mjaftonte që Agroni të thërritej në po këtë vit, 1967, në Estradën Profesioniste të qytetit të Vlorës, duke spikatur për cilësinë e zërit. Ishin vitet kur Estrada Profesioniste e qytetit të Vlorës, angazhonte në shfaqjet e saj edhe varietet më të mira të ndërmarrjeve, si ajo e peshkimit, e naftës, e Sodë PVC së etj. Për Agroni ishte i pari nga të katërt që kishte kishte filluar një jetë si profesionist, por ende jeta do t’i dhuronte surpriza të mëdha, të cilët e bënë të famshëm në art.
Afrim Agalliu
Ashtu si edhe Agron Hamo, edhe Afrim Agalliu, një nga të katërt parodistët e Vlorës, fillimet e tij i ka pikërisht në një tjetër ndërmarrje, atë të bonifikimit, “Perlat Rexhepi”, ku merrej dhe kishte si pasion, baletin. Ishte viti 1966 dhe nëpër shfaqjet e ndryshme që jepte ndërmarrja ku ai punonte, Afrimi spikaste si valltar dhe jo si aktor. Por do të ishin regjisorët si Qirjako Sava e Gaqo Vishi, të cilët e spikatën si element që jo vetëm dinte të kërcente mirë, por dhe të këndonte bukur, duke qenë i përshtatshëm për paroditë. Asaj kohe, parodia lëvrohej gjerësisht në Estradën Profesioniste nga aktorët e Vlorës, si Leka Kruta, Gaq Vishi, Myqerem Ferra etj
Mane Lumani
Nga ndërmarrja e Ullishtës do të afrohej në Estradën Profesioniste edhe parodisti tjetër, Mane Lumani. Fillimet e para si aktor amator i ka pikërisht në këtë në vitin 1974, në këtë ndërmarrje, ku spikaste për humorin e hollë dhe imitime të ndryshme. Ky ishte i treti që iu bashkua dyshes Agron-Afrim, duke afruar gjithnjë e më shumë momentin e krijimit të asaj që vazhdon të njihet në historinë e artit shqiptarë, me emrin, “4 parodistët e Vlorës”.
Muhamet Lika
Por kësaj treshe, nuk kishte si t’i mungonte një njeri me një mimikë të përshtatshme për humor dhe të qeshura, si ajo e Muhamet Likës. Ai do tu bashkohej kolegëve dhe miqve të tij të ardhshëm, në vitin 1976, pasi do të vinte në Estradën Profesioniste nga ndërmarrja e Përpunim Drurit.
Ata u bënë katër…
Ishin të rinj. Secili kishte karakteristikat e veta në zhanrin e humorit, por i bashkonte zëri, jo vetëm për ta kënduar parodinë por edhe për të qenë të suksesshëm në të gjitha vitet në vazhdim. Ishin vitet kur qyteti i Vlorës, dallohej për një jetë plot gjallëri, ku spikasnin veprimtari kulturore nga më të larmishmet, ku garat midis ndërmarrjeve ishin jo vetëm në realizimin e planeve por edhe në art, kulturë e sport. Edhe katërshja jonë e famshme, kishte atëherë ëndrra për t’u dalluar, për t’u spikatur, sepse në art nuk duhet vetëm talent dhe të ëndërrosh, por edhe sedër e punë të vazhdueshme për të arritur më të mirën dhe këta djem të rinj për atë kohë, ishin gati për t’u bërë të famshëm. Shembujt ishin aty, në qytetin e Vlorës. Tek artistët e humoristët e Estradës Profesioniste, tek i madhi Leka Kruta, tek i mirënjohuri, Myqerem Ferra apo tek Gaq Vishi dhe regjisori Qirjako Sava, të cilët kanë meritën e padiskutueshme të zbulimit dhe rritjes cilësore të artistëve të mëdhenj të humorist shqiptarë.
Fillimet e para “4 parodistët e Vlorës”, i ka me Agron Hamo dhe Afrim Agalliu, në vitin 1974. Ishin të sapo liruar nga ushtria dhe me një dëshirë të madhe për të gjetur vendin e duhur në jetë.
Numri i parë i tyre ka qenë në një shfaqje, e cila për ata të dy do të mbetet e paharruar, sepse të mëdhenjtë e skenës vlonjate, Leka Kruta e Myqerem Ferra, pasi i dëgjuan dhe u bindën për suksesin me të cilin i priti publiku i asaj shfaqjeje, , nuk kënduan më në skenë, pikërisht që nga ajo shfaqje, duke ua dorëzuar atyre stafetën e humorit dhe veçanërisht të parodisë. Pas kësaj, Afrimi, imitonte Lekën, kurse Agroni imitonte, Myqeremin. Dhe kështu, pas disa vitesh u bashkuan me Agronin dhe Afrimin edhe Meti e Manja, për të mos u ndarë për vite e vite të tëra, duke u kthyer suksesi tyre, gati në një mit për të gjithë dashamirësit e humorit në Shqipëri. Nuk kanë të numëruara shfaqjet e dhëna. Qytetet ku kanë shkuar. Skenat ku kanë bërë për të qeshur. Shtetet e huaja. Qytetet jashtë Shqipërisë, të mbushura me mall emigrantësh për paroditë e humorin e tyre virtuoz. Kjo është fare shkurt historia e katër artistëve, të cilët janë të mëdhenj edhe për faktin se, e kanë merak dhe gati si një ëndërr, që ashtu si i zbuluan dhe ju lanë të gjithë skenën në dispozicion në ato vite të para të tyre, edhe këta duan të zbulojnë dhe tu lënë skenën, atyre që do ti zëvendësojnë, por që deri tani duket shumë e vështirë.