Ministria e Shëndetësisë është prononcuar lidhur me ngjarjen e ndodhur në spitalin e Bulqizës, ku humbën jetën trinjakët dhe shpëtoi mrekullisht nëna e re.
Sipas prononcimit të MSH-së:
Nëna me inicialet E.R. 31 vjeç është paraqitur në spitalin e Bulqizës në orën 12:00 të ditës së sotme. Nëna e re është asistuar për lindjen e trenjakëve me moshë barre të parakohëshme 24 javëshe.
31-vjeçarja është asistuar për lindjen e fëmijës së parë nga mjeku i përgjithshëm Fatos Hoxha dhe dy mami të maternitetit të Bulqizës.
Për shkak të komplikacioneve, menjëherë është njoftuar ekipi i urgjencës kombëtare mjekësore dhe është nisur nga Tirana një ekip i specializuar nga Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” me helikopterin e Urgjencës Kombëtare.
Brenda 20 minutash, helikopteri me ekipin e specializuar nga Tirana ka mbërritur në spitalin e Bulqizës. Mjekët e specializuar të maternitetit të Tiranës kanë asistuar dy lindjet e tjera dhe kanë shpëtuar nënën e re, e cila rrezikonte jetën.
Për shkak të moshës së vogël të barrës (24 javë është e papajtueshme me jetën), trenjakët nuk kanë mundur të mbijetojnë, ndërsa nëna tashmë është jashtë rrezikut për jetën dhe në këto momente është nën kujdesin e mjekëve.