Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri është thirrur për të dhënë dëshminë e tij lidhur me abuzimet e ndodhura gjatë ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan.
Me përfundimin e procesit të auditit të kryer pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar mbi “rregullshmërinë e ndjekjes dhe zbatimit të kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan”, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë , ku rezultuan një sërë shkeljesh, vetë ministri Damian Gjiknuri denoncoi superskandalin.
Mësohet se dëmi ekonomik llogaritet në vlerën 53,983,340 USD. Sakaq, është konstatuar edhe një shkelje e disiplinës financiare në vlerën 16,117,926 USD nga nënshkrimi i amendamenteve të kontratës pa burime financimi.
Deri më tani janë arrestuar me vendim gjykate ish-Drejtori i Përgjithshëm i rrugëve, Dashamir Xhika, zv.drejtori Andi Toma dhe dy ish-drejtorët e njësisë së menaxhimit të projekteve, Albens Alite dhe Aksel Qurduka.
Ndërkohë më herët tek Krimet e Rënda kanë dhënë dëshmitë e tyre ish-ministri Sokol Dervishaj edhe ministri tjetër i LSI-së, Edmond Haxhinasto.