Me rastin e 106-vjetorit të krijimit të Ushtrikë Kombëtare, Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura solli një atmosferë ndryshe në sheshin “Skënderbej”, të zbukuruar nga bashkia e Tiranës për festat e fundvitit.
Orkestra Frymore e FA luajti marshe ushtarake, por edhe pjesë festive për të pranishmit, mes të cilëve ishin edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, kryetari i bashkisë së Tiranë Erion Veliaj, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku dhe mjaft qytetarë të kryeqytetit.
Ministrja Xhaçka përgëzoi zotin Veliaj për punën e tij në krye të bashkisë së kryeqytetit dhe vlerësoi kontributin dhe përkushtimin mbi njëshekullor të FA, si një shembull që duhet ndjekur. “Si qytetare e Tiranës dua të të falenderoj nga zemra për gjithë punën e jashtëzakonshme, për sakrificën, për përkushtimin, për vizionin dhe filozofinë tënde të drejtimit që jam e bindur do të sjellin një qytet shumë më të mirë për të jetuar për secilin prej nesh që ka vendosur të jetojë këtu edhe të rrisë këtu fëmijët e vet. Dua të falenderoj ty edhe ekipin e talentuar të bashkisë që na jeni bashkuar sot këtu që jeni bërë bashkë me ne për të festuar 106 – vjetorin e krijimit të FA.
Kjo është një ditëlindje shumë e rëndësishme për Forcat tona të Armatosura, besoj se është një ditëlindje e rëndësishme për të gjithë shqiptarët sepse FA-të u përkasin të gjithëve edhe modeli i tyre, është një model i mrekullueshëm për t’u ndjekur nga të gjithë”– u shpreh ministra Xhaçka.
Nga ana e tij zoti Veliaj shprehu mirënjohjen për shërbimin që ushtarakët shqiptarë kanë dhënë në këto 106 vite, duke i cilësuar njerëzit në uniformë si një model që duhet ndjekur sa i përket respektit ndaj shtetit dhe ligjit. “Të shikosh flamurin tonë, të shikosh dinjitetin, respektin, disiplinën, aftësitë e Forcave tona në Irak, në Afganistan apo në vende të tjera, është një krenari e jashtëzakonshme, se ti asnjëherë nuk mendon që do vijë dita që do shikosh brenda jetës tënde si i rritur sesi vendi yt, nga një vend inferior është sot një vend që eksporton paqe dhe përfaqëson këtë civilizim dhe këtë qytetari shqiptare, meritë e ushtarakëve tanë. Sot ka ardhur koha që të gjithë të mësojmë nga ushtarakët. Respekti ndaj shtetit, respekti ndaj uniformës, respekti ndaj flamurit ishte i njëjtë sepse një ushtarak e trajton punën e vetë si një mision për uniformën, për flamurin, për stemën dhe për dinjitetin e shtetit tonë. Sot kemi respekt për të 106 vitet shërbim me dinjitet kombit tonë, pavarësisht kush është pushteti, Shqipërisë i shërbehet shtetit.”– tha kryetari i bashkisë.
Koncerti i Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura në sheshin “Skënderbej” ishte aktiviteti përmbyllës për festimet e 106-vjetorit të krijimit të Ushtrisë Kombëtare, të cilat nisën me nisjen e kontingjentit të radhës për në Afganistan dhe vijuan më pas me ekspozita fotografike dhe dokumentare të historisë së Forcave tona të Armatosura.
Gjithashtu, me rastin e këtij përvjetori, në garnizonin “Skënderbej” u zhvilluan disa aktivitetet sportive në disiplina të ndryshme, ku u dhanë edhe medalje për fituesit.