Tentativa e deputetëve të Partisë Demokratike për të krijuar një vatër artificiale përplasjeje në Shkozë ka dështuar.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit po vazhdon që në orët e para të mëngjesit procesin e shembjes së objekteve pa leje për ti hapur rrugën projektit të Unazës së Madhe të Tiranës, segmentit lindor të saj.
Ndryshe nga sa u pretendua nga deputetët e Partisë Demokratike, IKMT është duke ndërhyrë në ato objekte pa leje të cilat tanimë janë të boshatisura dhe poseduesit e tyre janë dakordësuar për ti hapur dritën jeshile projektit në këmbim të trajtimit sipas përcaktimeve ligjore.
Godinat të cilat një ditë më parë u rrethuan nga deputetët e PD dhe mbështetësit e tyre, banorë të importuar nga zonat përreth, janë shembur të parat që në orët e para të mëngjesit të së martës.
Paralelisht, kompanitë e kontraktuara për të kryer punimet në dy lotet e Unazës Lindore nga zona e Farkës në atë të Shkozës dhe drejt Maternitetit të Ri po vazhdojnë gjithashtu investimin për hapjen e trasesë së rrugës dhe avancimin me veprën e cila do ti japë zgjidhje problematikës së trafikut në kryeqytet.