Nesër të dielën e 2 dhjetorit duke nisur nga ora 12:00 në mesditë hidhet në Dublin shorti për fazën kualifikuese të Euro 2020. Shqipëria dhe Kosova do të mësojnë kundërshtarët.
Djemtë e Christian Panuccit ndodhen në vazon e katërt duke zbritur me një vazo nga shorti i kaluar ndërsa Kosova është ngjitur në vazon e pestë.
Shqipëria ndodhet në vazon e katërt së bashku me Qipron, Estonine, Gjeorgjinë, Greqinë ,Hungarinë, Lituaninë, Malin e Zi, Rumaninë dhe Slloveninë me të cilat nuk mund të ndeshet.
Për kuqezinjtë pritet një short ferri pasi parashikohen që në grupin e Shqipërisë të jenë tre rivalë më të fortë që vijnë nga vazot 1,2 dhe 3 dhe vetëm një ose dy rival më të dobët në renditjen e UEFA-s në varësi të grupit që do të biem.
Por si funksionon procedura e hedhjes së shortit. 55 ekipet do të ndahen në dhjetë grupe ku 5 do jenë me nga 5 skuadra dhe 5 të tjerë me nga 6 skuadra.
Në vazon e fitueseve të Ligës së Kombeve janë Holanda, Portugalia, Zvicra dhe Anglia që janë kundërshtarë të mundshëm të Shqipërisë dhe në vazon e parë janë ekipet e tjera të mëdha Belgjika, Kroacia, Franca ,Italia ,Polonia dhe Spanja.
Gjermania është rreziku kryesor për çdo ekip pasi ndodhet në vazon e dytë.Rivalë të mundshëm të Shqipërisë janë edhe Bullgaria, Finlanda, Izraeli,Irlanda, Irlanda e Veriut, Norvegjia ,Skocia, Serbia, Sllovakia dhe Turqia që ndodhen në vazon e tretë.
Kosova është në vazon e pestë dhe është një kundërshtar i mundshëm për Shqipërinë ndërsa në vazon e gjashtë ndodhet Andora, Letonia, Lihtenshtejni, San Marino dhe Malta.
Nga çdo grup do kualifikohen dy të parat dhe katër ekipe të tjera sigurojnë kualifikimin nga Liga e Kombeve. Të pranishëm në hedhjen e shortit do jenë Duka, Shulku dhe Panucci ndërsa ndeshjet e para do luhen nga data 21 deri në 23 mars të vitit të ardhshëm.