Nga Carlo Bollino
A është me të vërtetë faji vetëm i gazetarëve nëse niveli i informacionit shqiptar ka rënë kaq poshtë?
Ndonëse, si kategori, duhet të bëjnë një autokritikë të thellë për mungesën e saktësisë, militantizmi, punën sipërfaqësore, mungesën e njohurive dhe kulturës dhe pasionin e pakët me të cilin shpesh punojnë gazetarët, duhet pohuar me të njejtën forcë se institucionet publike nuk janë më pak fajtore në degradimin e informacionit.
Gazetarë seriozë ka, por shpesh nuk janë të tillë përfaqësuesit e Shtetit. Është shumë e rëndë të zbulosh që prokurorë, policë dhe politikanë gënjejnë me ndërgjegje kur flasin me gazetarët.
Dhe këtë herë nuk e kemi fjalën për gënjeshtrat që thonë në konferenca shtypi, në Parlament apo në mediat sociale, por për ato gënjeshtra të paverifikueshme që thonë kur të thërrasin privatisht dhe të japin “lajme” në mënyrë konfidenciale.
“Po ta them, por ti mos më përmend mua”, të thonë. Kështu, gazetari publikon lajmin e rremë duke i zënë besë burimit dhe duke e mbrojtur si të ardhur nga “burime”.
Shumë nga fake news-et në Shqipëri lindin pikërisht në këtë mënyrë: nga përfaqësues të institucioneve që mashtrojnë gazetarët.
Në botën perëndimore gazetarët mbrohen nga fake news-et duke i verifikuar ato tek institucionet.
Po si t’ia bëjnë gazetarët shqiptarë, kur janë vetë përfaqësuesit e institucioneve ata, që përhapin fake news? Metoda e vetme është të prishet pakti i anonimatit: kur një burim institucional apo politik që ka kërkuar anonimatin gënjen, gazetari ka të drejtën ta denoncojë publikisht, duke i nxjerrë emrin dhe mbiemrin.
Një prokuror që i jep lajm të rremë një gazetari është një mashtrues, që nuk meriton asnjë mbrojtje.
Dhe, kush e di, pasi është denoncuar publikisht, ndoshta zbulohet edhe se në interes të kujt (apo për të përfituar çfarë) ai ka vendosur të gënjejë./Shqiptarja.com