Pas serbëve, edhe grekët kanë dhënë alarmin pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në Pejë se ka ardhur koha për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës. Shumica e mediave në Athinë i kanë kushtuar hapësirë kësaj ngjarjeje, duke sulmuar ashpër dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, që nuk dënojnë deklaratat e Ramës. Madje, mediet greke shkojnë deri aty sa shprehen se BE dhe SHBA janë duke mbështetur projektin e Shqipërisë së Madhe.
“Kosova, ku 90% e popullsisë i përket kombit shqiptar, shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008, pas një konflikti të përgjakshëm. Ajo njihet nga shumë shtete perëndimore, por asnjëherë nga qeveria serbe, e cila gjithmonë e konsideron pjesë të territorit të saj. Natyrisht, mbështetja që po merr nga SHBA e BE për shkëmbimin e territoreve, nuk do të sjellë asnjë pengesë në krijimin Shqipërisë së Madhe. Ndoshta SHBA-BE e konsiderojnë Shqipërinë e Madhe si “kundërpeshë” ideale për Greqinë dhe Serbinë”, thuhet në një artikull të “Pro News”. Më tej i kushtohet shumë hapësirë mbledhjes së qeverive mes Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas medias greke, Rama e Haradinaj po punojnë për bashkimin e dy vendeve.
“Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj kanë rënë dakord të hartojnë një tekst të përbashkët për bashkimin e dy shteteve deri në vitin 2025. Si Shqipëria, ashtu edhe Kosova kanë bërë shumë lëvizje për bashkimin e të dy shteteve.
Duke filluar me bashkimin rrugor me një autostradë moderne Durrës-Kukës, e cila ka një gjatësi totale prej 307 km, kemi ndërtimin e rrjetit elektrik, sistemin arsimor etj. Deri më tani dy qeveritë kanë mbajtur pesë takime. Po ashtu duhet të kujtojmë se është propozuar dhe zgjedhja e një presidenti të përbashkët”, thuhet në artikull. Në të njëjtën linjë me këtë portal kanë qenë dhe media të tjera si “Ethnos”, “Europost”, “Slpress”, etj.
Pretendimet e grekëve
Media si “Ethnos” apo “Defence Point” kanë shkruar gjithashtu se deklarata e kryeministrit Edi Rama në Kosovë janë një sinjal i qartë se po përgatitet Shqipëria e Madhe, shkruan ‘Sot’. “Për disa vite, kryeministri shqiptar Edi Rama kishte deklaruar se vendi i tij po pret ftesën për hapjen e negociatave me BE, por njëkohësisht është po aq e rëndësishme për Tiranën është dhe bashkimi i dy shteteve shqiptare.
Sipas shtypit, kryeministri i Shqipërisë bëri një hap përpara duke paralajmëruar BE se vendi i tij dhe Kosova nuk mund të presin përgjithmonë BE”, thuhet në artikull.
Këto media kanë shkuar madje deri aty sa kanë dhënë detaje se si është sot niveli i popullsisë i të dyja vendeve dhe si do të ndryshojë situata nëse ato bashkohen. Ndërsa portale ekstremiste si “Pentapostagama”, përveçse kanë bërë një panoramë të asaj se çfarë ndodhi në Pejë, i kanë dërguar një mesazh të qartë qeverisë greke. “Teksa politika greke rrezikon të futet në kolaps nga konflikti SYRIZA-ANEL, qeveria shqiptare vret qytetarë grekë si Katsifas dhe shkatërron shtëpitë e minoritarëve grekë në Himarë.
Ndërkohë që librat e Historisë dhe të Gjeografisë flasin për zaptim të tokave shqiptare nga Greqia, duke ngritur pretendime të papërgjegjshme. Ne jemi të rrethuar nga armiq që duan të marrin tokat greke dhe duhet të mbajmë sytë hapur”, thuhet në artikull.