Parlamenti Evropian ka votuar sot raportin e Raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, për Shqipërinë me 459 vota pro, 112 kundër dhe 62 abstenime.
Raporti i miratuar sot mbështet rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave për Shqipërinë në qershor të vitit të ardhshëm.
Në raportin e përgatitur nga Knut Fleckenstein me 48 pika dhe që mori aprovimin e eurodeputetëve njihen përpjekjet e Shqipërisë për reformën në drejtësi dhe progresin drejt finalizimit të hapjes së negociatave.
“Mbështesim plotësisht rekomandimin e Komisionit që të hapen negociatat e pranimit për Shqipërinë në qershor të 2019. Inkurajojmë Shqipërinë për të ruajtur ritmin e zbatimit të reformave.
Mirëpresim miratimin e Kodit të Sjelljes së Parlamentit Shqiptar, i cili do të rrisë integritetin dhe transparencën e procesit parlamentar dhe besimin e publikut.
Kërkojmë zbatimin e rekomandimeve të OSBE / ODIHR për zgjedhjet. Nevojitet një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe në kohë me qëllim rritjen e besimit të publikut në procesin zgjedhor.
Reforma zgjedhore të adresojë pretendimet për financime të paligjshme të padeklaruara të partive politike.
Mirëpresim punën e Komitetit Ad-hoc për Reformën Zgjedhore të Parlamentit Shqiptar lidhur me pavarësinë dhe depolitizimin e administratës zgjedhore, transparencën në financimin e fushatës, regjistrimin e votuesve, përdorimin e teknologjive të reja të votimit dhe votimin e emigrantëve.
Reforma të miratohet me konsensus dhe në kohën e duhur para zgjedhjeve vendore të 2019. Kandidatët me probleme penale të përjashtohen nga listat dhe nivelet e qeverisjes”, thuhet ndër të tjera.
Brukseli kërkon nga Shqipëria ngritjen sa më shpejt të institucioneve të drejtësisë dhe rikthimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë.
“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe zbatimi i të drejtave pronësore, varen nga suksesi i procesit i zbatimit të reformës gjyqësore.
Kërkojmë nga autoritetet shqiptare që sa më parë të përfundojnë krijimin e organeve të reja gjyqësore dhe të kthehen në funksion Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë”.
Raporti shpreh shqetësimin për mos gjetjen e gjuhës së konsensusit nga klasa politike shqiptare për miratimin e ligjeve të tjera të reformës në drejtësi.
Në këtë raport bojkoti i parlamentit nga opozita që prej verës së 2018-tës, cilësohet si një shqetësim i madh dhe kërkohet rikthimi i dialogut brenda institucioneve demokratike.
Parlamenti Europian i bën thirrje opozitës që të rikthehet në Kuvend. “Ritheksojmë besimin e plotë se dialogu politik duhet të zhvillohet brenda institucioneve demokratike; jemi të shumë të shqetësuar për bojkotin e procesit parlamentar nga opozita”.
PE përshëndet luftën kundër krimit, por kërkon vijueshmërinë e aksioneve. “Përshëndesim përparimet e bëra në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në veçanti arrestimet e anëtarëve të grupit kriminal të Bajri dhe kërkojmë që të vazhdohen më tej me rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme” thotë raporti.
Gjithashtu Shqipërisë i kërkohet të forcojë masat për të shkatërruar dhe ndaluar burimet financuese për terrorizmin dhe të merret seriozisht me radikalizmin që përhapet online përmes internetit.