Policia greke ka shkatërruar një bandë të përbërë nga grekë dhe shqiptarë, që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike dhe me kryerjen e vjedhjeve.
Sekuestrohet drogë dhe mbi 100 mijë euro para kesh. Operacioni është realizuar në zonën e Atikës, ku në përfundim u arrestuan tetë persona, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim.
Oficerët e policisë përdorën gjatë operacionit dy qen të zbulimit të drogës. Mësohet se fillimisht në pranga ka rënë lideri i bandës, një 35-vjeçar shqiptar, katër grekë të moshave, 42, 39, 34 dhe 23 vjeç, si dhe tre shqiptarë të moshës 24, 29 dhe 35 vjeç. Ndërsa janë në kërkim dhe dy shqiptarë të tjerë të moshës 63 dhe 24 vjeç, të gjithë pjesëtarë të grupit që funksiononte që prej shtatorit të vitit të kaluar.
Sipas gazetës greke “Protothema”, banda kishte trafikuar kokainë me vlerë mbi 19 mijë euro, duke ua shitur më shumë se 40 personave në Halkida, Eretria dhe Artaki. Po pjesëtarë të këtij grupi të shkatërruar nga Policia greke bëhet e ditur se kanë trafikuar kokainë dhe kanabis të papërpunuara me vlerë mbi 15 mijë euro në rajonin e Evias.
Por, përveç trafikut të drogës, grupi kryente dhe vjedhje pasi deri më tani janë skanuar 15 vjedhje, ku keqbërësit kanë përvetë- suar sende me vlerë me mbi 500 mijë euro. Ndërsa në dy raste, tentativa e tyre për vjedhje ka dështuar, bëhet e ditur nga Policia greke. Të arrestuarit do të përballen me akuza për grabitje, pastrimit të parave nga aktivitet kriminal etj.
Ndërkohë, pas kontrolleve të ushtruara nëpër banesat e të arrestuarve, janë sekuestruar makina të vjedhura, pajisje të ndryshme, bizhuteri dhe para në shumën 104 595 euro, karta bankare, çeqe, shënime të ndryshme të shqyrtuara si dhe dy makina kamionë. Po ashtu, gjatë operacionit Policia ka gjetur dhe sekuestruar në banesat e të përfshirëve në këtë grup kriminal, lëndë narkotike.
Përkatësisht janë sekuestruar një sasi prej 32.4 gram kokainë, 110.4 gram kanabis të papërpunuar, 11 pilula drogë, peshore, dy armë, të cilat janë dërguar për testin balistik, nëse janë përdorur në ngjarje të ndryshme, dy armë gjuetie, thika dhe një shkop metalik. Anëtarët e bandës akuzohen për ngritjen dhe anëtarësimin e një organizate kriminale të trafikut dhe kultivimit dhe transportimit të drogës, si dhe armëmbajtje pa leje, raportojnë mediat greke.
Policia bën të ditur se të arrestuarit vepronin të ndarë në dy nëngrupe, ku një palë merrej kryesisht me trafikimin e drogës dhe pala tjetër me vjedhje, por që mes tyre kishte bashkëpunim. Në total, bashkë me personat e arrestuar, Policia ka ngritur akuza për 52 persona të përfshirë në trafikun e drogës dhe 11 të tjerë për vjedhje apo që kanë pranuar sende të vjedhura.
Sipas Policisë greke, grupi kriminal është aktiv që prej shtatorit të vitit të kaluar. Hetuesit ranë në gjurmët e grupit në verën e vitit të kaluar dhe hetimet çuan në kapjen e pjesëtarëve të tij.
Mes të arrestuarve janë dhe dy persona, të cilët nuk kryenin vjedhje apo trafik droge, por banesat dhe bizneset e tyre shërbenin si magazina për sendet e vjedhura nga grupi dhe në këmbim merrnin një përqindje nga 5 deri në 10 të vlerës së sendeve. Policia deri tani ka arritur të dokumentojë 15 vjedhje.
PANORAMA