Është një fshat i largët në Elbasan. Duket sikur ka humbur në kohë dhe hapësirë.
Ora e këtij komuniteti të vogël ka mbetur në kohën e ish-kooperativave bujqësore.
Kanë ikur te gjithë. Nja 15 shtëpi të rrënuara kanë mbetur mbi kodër.
Rrethuar me ullinj e drurë frutorë gjithfarë, banorët i luten Zotit për shi, ndërsa djemtë i luten Zotit për nuse! Të paktën, vegjetojnë aty me prindërit e tyre, nja 20 çuna. Kanë harruar të flasin për punët në bujqësi.
Secili në mëngjes pyet shokun “Ke ndonjë haber për nuse”?! Përgjigja vjen mohuese. Vetëm duke tundur kokën.
Kërkojnë nëpër rrjete sociale. Por të gjithë mbeten të mashtruar. Rëndom tregojnë ndonjë foto në celular për “nusen” virtuale.
Fshati është i Elbasanit, kufi me Tiranën. Nga aty, duket paq Tirana natën. Ndërsa Elbasani nuk duket pas maleve, që rrethojnë Bodinin. Jo pak djem kanë hyrë kollovarë në Baldushk të Tiranës.
Ky fshat i begatë për nuse, është më afër tyre. Por dhe aty s’ka vend më për kollovarë.
Ndërsa Elbasani nuk para pranon dhëndurë të tillë. Kësisoj, kanë mbetur çipllak. Vetëm ëndërrojnë. Prindërit po ua hanë shpirtin. Kërkojnë nuse në shtëpi. Të gjorët kërkojnë nuse në internet. Asnjë vajzë nuk pranon të martohet aty, sipas Lajm Shqip. Jo se janë djem të këqij. Janë të pashëm dhe të gjatë.
Fshati s’ka ujë. Herë-herë nuk ka drita. Fshati nuk ka rrugë.
Për këto arsye dhe të tjera, vajzat nuk janë aq “budallaçka” të veshin vello në Bodin.
Po u ikën mosha djemve. Disa, afër të dyzetave. Jo pak prej tyre, me trasta në kurriz, rrugëve të Greqisë.
Nuk fitojnë aq para sa për të “blerë” një nuse. S’u ka mbetur gjë tjetër. Veçse të plaken beqarë…Fshatin e tyre e ka harruar koha…