Gjatë konferencës për shtyp të mbajtur pasditen e sotme, Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar bëri transparente për median edhe detajet për koston e nyjes së Sheshit Shqiponja.
Për efekt krahasimi, Qendro krahasoi një investim në një vepër tjetër inxhinerike të kryer në afërsi të kësaj zone, konkretisht Mbikalimin e Kamzës.
Qendro tha se mbikalimi i Kamzës është përfunduar në vitin 2008 kur vendin e drejtonte Partia Demokratike e cila sot është në opozitë dhe akuzon për kosto të fryra.
Vepra në fjalë është një mbikalim i thjeshtë dhe rrethrrotullim në nivel. Kostoja e kësaj vepre, të marrë në dorëzim me 17 defekte nga komisioni i ARRSH, rezulton se ka shkuar në 8.4 milion Euro.
Ndërkaq, nyja e Sheshit Shqiponja, e cila do të zbatohet si projekt më shumë se 10 vite më vonë kur çmimet e ndërtimit kanë pësuar rritje me 30%, ka një kosto thuajse të përafërt.
Nyja e Shqiponjës përbën një vepër inxhinierike komplekse me tre nivele: mbikalim 430 m; rrethrrotullim në nivel dhe nënkalim 310m. Kosto totale e saj shkon në 9.7 milion euro.