Berlini zyrtar ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Shqipëri ku ka adresuar mesazhet përkatëse.
Përmes ambasadores në Tiranë, Susanne Schütz, Gjermania apelon kthimin në Kuvend të opozitës.
Susanne Schütz deklaroi nga Korça se opozita duhet të jetë e pranishme në një demokraci dhe duhet të kthehet në Kuvend.
Gjithashtu ajo ka folur dhe në lidhje me deklaratat e Ramës në Kosovë.
“Ne jemi të mendimit që në demokraci nevojitet një opozitë por edhe për këtë opozitë vendi është në parlament dhe unë i bëj apel opozitës që të kthehet përsëri në parlament sepse ka shumë ligje për tu miratuar si reforma e kodit zgjedhor , për të cilat nevojitet edhe vota e opozitës.”
E pyetur për deklaratën e djeshme të kryeministrit në Kosovë ajo tha:
“Ne kemi thënë si gjermani që 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë për anëtarësimin në BE, kjo vlen edhe për Kosovën e Serbinë por është e rëndësishme që këto dy vende të bëjnë progres për normalizimin e dialogut mes tyre dhe në këtë kontekst shpresoj që diferencat mes këtyre dy vendeve të përballohen. Qeveria federale gjermane dhe vetë kancelarja gjermane ka thënë që një ndryshim i kufijve do të çonte në një zgjidhje”.
E pyetur sa afër Evropës është Shqipëria ajo tha:
“Vendi ka një perspektivë për tu anëtarësuar dhe ne shpresojmë që kjo do të arrihet vitin që vjen. Shqipëria ka bërë shumë progres në këtë rrugë, por ka edhe shumë të tjera për të bërë në luftën ndaj krimit të organizuar edhe korrupsionit, duhet të ketë ende zhvillime dhe përparësi.”/Tema