Pas incidentit të rëndë të ndodhur gjatë protestës së të enjtes së kaluar, përpara Kuvendit, ku një efektive u dëmtuar rendë në dorë nga shpërthimi i një kapsolle, Ministria e Brendshme ka marrë masa për importin e lëndëve shpërthyese.
Në një deklaratë për mediat zv.ministrja e Brendshme, Romika Kuko, u shpreh se kushdo që do të kapet me këtë produkt apo do të disponojë individualisht të tilla lëndë do të ndalohet e ndëshkohet.
“Pas pasojave të rënda që solli përdorimi i mjeteve shpërthyese gjatë protestës së paligjshme, të zhvilluar përpara Kuvendit të Shqipërisë në datën 22 nëntor 2018, autoritetet përgjegjëse dhe ekspertë të Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë masat për të hetuar shkaqet e pasojave të rënda që solli përdorimi me papërgjegjshmëri i tyre.
Nga eksperimentet e kryera me mjetet shpërthyese, të sekuestruara gjatë protestës, janë regjistruar rezultate shokuese. Provat eksperimentale kanë vërtetuar se mjetet e sekuestruara janë në gjendje të shkatërrojnë jo vetëm materiale apo inde të buta, por edhe materiale të forta si eshtrat apo edhe metalet.
Ndërkohë që puna hetimore e mëtejshme po vazhdon, Ministria e Brendshme dhe institucionet e tjera po marrin masa edhe për vendosjen e një regjimi të ri kontrolli për lëndët plasëse, ato shpërthyese dhe për mjetet piroteknike.
Në videot që do të ndiqni tani do të shihni vetëm disa prej rezultateve të eksperimenteve të zhvilluara, në të cilat, shihen qartë rezultatet shkatërruese që sjell përdorimi i mjeteve shpërthyese të sekuestruara në 22 nëntor 2018″, deklaroi Kuko.