Prej 8 javësh tashmë çdo të diel këngëtarët po prezantojnë projektet e tyre muzikore në “Kënga Magjike”, festivali më i rëndësishëm në Shqipëri dhe që momentalisht ka marrë gjithë vëmendjen e publikut. Prej 20 vitesh tashmë “Kënga Magjike” ka prodhuar hite dhe prej saj kanë dalë shumë këngë të bukura që i kanë rezistuar kohës edhe pse ndoshtamund të mos jenë vlerësuar me një çmim. Pikërisht për një arsye të tillë, artistët pjesëmarrës e marrin shumë seriozisht këtë festival dhe e shohin si një mundësi promovimi në kohën dhe vendin e duhur për një projekt të tyre.
Pavarësisht se konsiderohet siç e thamë edhe më sipër një festival i rëndësishëm, jo vetëm për këngëtarët e vjetër por edhe zërat e rinj që zgjedhin pikërisht “Këngën Magjike” për të debutuar, debati i çdo viti dhe ngërçi i vetëm i një organizimi dhe projekti të tillë janë pakënaqësitë pas shpalljes së fituesit. Që në nisje, 20 vite më parë formula e këtij festivali ka qenë e tillë që vetë artistët vlerësojnë kolegët e tyre me pikë dhe ai që grumbullon më shumë pikë në fund shpallet fitues. Një formulë e tillë ka shfaqur shumë pakënaqësira tek vetë këngëtarët por më tepër se me organizatorët, ka sjellë konflikt mes kolegësh, qejfmbetje se përse njëri i jep më shumë pikë tjetrit.
Pothuajse në çdo edicion ka patur mërira të krijuara mes kolegësh, miqësi të krisura për muhabete pikësh kjo sepse shpesh shumë nga pjesëmarrësit mendojnë se pikët nuk shpërndahen sipas vlerësimit duke zgjedhur vërtetë këngën më të bukur por bëhen qoka, u jepen më shumë pikë miqve sesa atyre që kanë sjellë me të vërtetë këngë të bukura. Ka edhe raste kur miqve u ngelet qejfi që pse vlerësuan dikë tjetër më shumë me pikë ndërsa ata me më pak. Pikërisht situata të tilla kanë ndodhur shpesh aq sa ka patur edhe kontestime për fituesin e çmimit të madh. Po ju sjellim ndërmend disa nga sherret që kanë lindur nga “Kënga Magjike” për shkak të pikëve.
Filloreta Raçi- Çiljeta Xhilaga- Një nga zënkat më të diskutuara ka qenë ajo mes Fifit dhe Çiljeta Xhilagës. Dikur ato kanë qenë mikesha madje edhe kanë bërë bashkëpunimin “Big Booty” por pas një zënke në “Kënga Magjike” marrëdhënia mes tyre është prishur. Fifi ka folur në “Thumb” për këtë prishje të miqësisë duke u shprehur se ka ardhur për shkak të pikëve që ajo i ka dhënë Çiljetës në “Kënga Magjike”. “Asgjë s’ka ndodhur përveçse punës së pikëve tek “Kënga Magjike”. Është ndjerë e ofenduar dhe e fyer dhe jo e respektuar se unë i kam dhënë 7 pikë. Por duhet të ishin ata që s’u kam dhënë pikë fare të mërzitur. Çiljeta e di shumë mirë çfarë vendi ka tek unë. Jo nuk flasim. Çiljetës i kam kërkuar falje publikisht dhe i kërkoj falje prapë. I kam çuar mesazh dhe i kam thënë : Nëse respekti im ndaj teje vërehet nga pikët e “Kënga Magjike”, atëherë nuk kemi çfarë diskutojmë më shumë. Nuk më ka kthyer. Nuk e kam bërë me qëllim atë. Unë doja të nxirrja Fifin artiste jo mike. Fifi është pak më shumë artiste sesa mike.”,- ka treguar këngëtarja e njohur
Anxhela Peristeri- Elhaida Dani- Njësoj si çdo edicion, vitin e kaluar mes Anxhela Peristerit dhe Elhaida Danit ka patur një debat përsa u përket pikëve. Fituese u shpall Anxhela dhe Elhaida mori vendin e dytë, gjë e cila duket se shkaktoi hatërmbetje dhe dukshëm ra në sy në Post Kënga Magjike, mbledhja që Ardit Gjebrea organizoi një ditë pas finales së madhe. Elhaida duket se nuk ishte dakort që fitorja ti takonte Anxhelës dhe për këtë mbajti një qëndrim shumë serioz në studio. Ama duket se gjërat u harruan shumë shpejt pasi Elhaida pak ditë më parë u bë pjesë e recitalit “Reflektim” që Anxhela Peristeri mbajti në kryeqytet duke sjellë kështu bashkë në duet këngën “Prapë do t’i lutem”, një nga hitet e vjetra të Anxhelës.
Rozana Radi-Soni Malaj- Soni Malaj dhe Rozana Radi kanë qenë shumë mikesha për vite me rradhë. Rozi është tekstshkrue e e disa prej baladave më të bukura të Sonit siç ka qenë “Me të jeton” . Por ishin pikërisht pikët e shpërndara në “Kënga Magjike” ato që krisën disi miqësinë disa-vjeçare të dy vajzave. Në “Kënga Magjike” 2016 Soni Malaj konkurroi me “Për vete më mbaj”, një këngë ritmike e cila nuk u vlerësua ashtu siç Soni pretendonte. Nga ana tjetër Rozana Radi fitoi çmimin e parë me “ Ma thuaj ti”. Mes dy mikesha hyri pakënaqësia në shpërndarjen e pikëve e madje Soni në një intervistë të atëherëshme u shpreh se mediat ishin urdhëruar që të mos shkruanin për të por të favorizonin vetëm Rozana Radin dhe Arilena Arën.
Flori Mumajesi-Stine- Një tjetër rast që bëri bujë në media ishte ai mes Stines dhe Flori Mumajesit, një debat që kaloi madje edhe në përplasje fizike. Ka qenë Stine ai që ka nisur sherrin ndaj kompozitorit të njohur dhe shkaku kanë qenë pikët për këngët respektive. Stine i ka dhënë Florit 26 pikë (30 është maksimumi), kurse Flori dy pikë. Në përfundim të votimeve, pa u shpallur ende fituesi i “Kënga Magjike”, Flori Mumajesi është nisur për të dalë nga Pallati i Kongreseve, por nga pas e ka ndjekur Stine, i cili pas disa batutash ofenduese, e goditi kantautorin me një send të fortë në fytyrë (kupa e festivalit).
Klint Çollaku- Kastro Zizo- Në mbledhjen e Gjebreas me artistët një ditë pas finales së mbajtur vitin e kaluar garuesit nuk kanë qenë fort të kënaqur me pikët. Kastro Zizo ka thënë se më shumë e ofendonte ai që i jepte 1 pikë, se sa një tjetër që e vlerësonte me 0. Pas debateve të shumta, u kuptua që Zizo i referohej Xhesika Polos, por Arditi e ka ndërruar disi drejtimin e debatit. Ai ka theksuar se Kastro vetë i ka dhënë 0 pikë Klint Çollakut, në një kohë që e dinte fare mirë se ajo e Klintit ishte një këngë e pëlqyer. Ky i fundit nuk ka pritur gjatë për t’iu kundërvënë Zizos, duke shprehur se dhe ai ka dhënë të njejtin vlerësim për kolegun. “E dija që aq do më jepte. Në prova ma lavdëroi këngën, por e dija që do më vlerësonte me aq”,- është shprehur Çollaku.
Rozana Radi- Devis Xherahu- Fitorja e Rozana Radit në vitin 2016 në “Kënga Magjike” u has në kontestime. Devis Xherahu nuk ishte dakort me faktin që Rozana u shpall fituese nga vetë kolegët e saj. Këngëtari korçar Devis Xherahu me anë të një statusi të gjatë kritikonte mënyrën e gjykimit të festivalit ‘Kënga Magjike”, e aq më tepër nuk ishte dakord me fitoren e Rozana Radit. Ndërsa Xherahu thoshte se mënyra e votimit është kanceri i këtij festivali, këngëtarja Radi iu përgjigj nga studioja e “E diela Shqiptare”. Rozana u shpreh se ai vepronte kështu pasi nuk mundi të hyjë në finale.
“Këta artistë pa shkollë janë ata që më kanë votuar në 2011. Më kanë votuar këta artistë që janë të vërtetë ashtu siç më votove ti me 13 pikë, që meqenëse nuk hyre në finale më sulmon sot. Të uroj suksese, të uroj të thinjesh si artist”,- u shpreh ajo