Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga derbi i kryeqytetit, kapiteni i Partizanit, Alban Hoxha, në vend që të ishte në fushat e stërvitjes, e sheh veten në qeli.
Shkak për këtë është një pakujdesi e tij për t’i dhënë makinës edhe pse kishte konsumuar alkool më shumë se norma e lejuar.
Portieri i të kuqve është arrestuar dje në orët e para të mëngjesit në afërsi të Parlamentit, në rrugën “George W Bush”, në Tiranë.
Gardiani i kuq priste të dilte ditën e sotme para gjykatës për të mësuar masën e sigurisë ndaj tij, por seanca gjyqësore u shty për ditën e nesërme, ndaj Hoxha duhet të qëndrojë edhe 24 orë në paraburgim.
Në ambientet e gjykatës ditën e sotme është para dhe e dashura e portierit, Çiljeta Çilaga, e cila kishte shkuar për t’i qëndruar pranë Albanit në këtë moment të vështirë.
“Panorama” ka arritur të sigurojë një foto të këngëtares në ambientet e Gjykatës së Tiranës, duke pritur vendimin që u shty për ditën e nesërme.