Pas shkarkimit të prokurorit Artur Selmani, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra, gjyqtarin e Apelit të Shkodrës, Luan Dervishi, i cili ishte dhe kandidat për KLGJ.
Sipas KPK, Dervishi ka fshehur pasurinë dhe është përfshirë në afera korruptive.
Treshja e KPK-së që kreu hetimin administrativ të Dervishit vendosi ta shkarkojë nga detyra, ndërsa gjykatësi pas seancës tha se do të apelonte vendimin.
Luan Dervishi, i cili shërben si gjyqtarë që prej vitit 1982, ishte në listën prioritare të Vettingut për shkak të kandidimit të tij për një post në Gjykatën Kushtetuese.
Pas publikimit të thirrjes së dytë për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Dervishi shprehu gjithashtu interesin për të qenë pjesë e institucionit.
Pas seancës ai ka kundërshtuar vendimin: “Nuk jam dakord me vendimin, të gjitha pretendimet do t’i bëj me dije në ankimim”, u tha Dervishi gazetarëve jashtë sallës ku u dha vendimi.
Hetimi administrativ për gjyqtarin Dervishi u krye nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Firdes Shuli, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Pamela Qirko.
Gjatë seancës dëgjimore për Dervishin relatorja bëri me dije një listë të gjatë mospërputhjesh në deklarime dhe mungesë të burimeve të ligjshme për pasurinë e gjyqtarit Dervishi.
Ndërkohë DSIK kishte dërguar dy raporte për Dervishin: i pari me konstatimin “i përshtatshëm”, dhe më pas informacionit nga Shërbimi Informativ Shtetëror i dha KPK-së një raport “papërshtatshmërie”. Dervishi i kundërshtoi akuzat.