Kosova më në fund e gjeti liderin e saj, Ramush Haradinaj, që është me shqiptarët dhe jo me fqinjët aneksues historike territoresh shqiptare. Po Shqipëria. Shqipëria ende po noton në marrëzinë e liderëve të blerë nga fqinjët, aneksues dhe genocidialë antishqiptarë, të cilët duan që me çdo mjet të ndalojnë ngritjen e Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme.
Edhe Athina zyrtare dhe Beogradi zyrtar kanë tmerr nga reforma antikorrupsion në Prishtinë dhe në Tiranë. Janë në mbrojtje të korrupsionit që drejton Shqipërinë. Janë të dështuar. Lodhen kot. Antikorrupsioni iu ka marrë kushtetutën.
l.
Është Prokuroria dhe Gjykata Speciale në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni që pritet të eliminojë korrupsionin e lartë politik të të tre shteteve. Është Prokuroria Speciale në Shkup që procedoi ish Kryeministrin Gruevski, por është gjykata Speciale në Prishtinë që “tërboi” të korruptuarit e mëdhenj të Prishtinës që shkuan deri në paturpësinë historike për të shpërbërë Kosovën territoriale. Po nuk janë të parët. Kështu ka qenë në 120 vjet rresht. Por këta, në Tiranë dhe në Prishtinë, sot, janë të fundit. Është e rëndë kur e mendon si histori, por është e vërtetë.
Në fakt, në të tre këta shtete është e sigurt tani që korrupsioni i lartë do të kalojë nga akuza penale në likuidimin e tij tërësor, për të filluar epoka e re e unitetit dhe unifikimit të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor. Lufta antikorrupsion në Shqipëri në Kosovë dhe në Maqedoni, është në fakt lufta e drejtë për rikrijimin e unifikimit të botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Por, e gjithë pengesa e triumfit të etnisë shqiptare në këtë zonë, është korrupsioni i lartë shtetëror në Tiranë dhe në Prishtinë që bashkëpunon me politikat antishqiptare.
ll.
Sot historia e Shqipërisë është në një pikë kulmore, e cila mund t’iu kthejë shqiptarëve të gjithë padrejtësinë dyqindvjeçare që është bërë kundër tyre.
Fqinjët e Shqipërisë, që realisht janë aneksues territoresh shqiptare dhe dhunues me genocid kundrejt shqiptarëve autoktonë, janë futur në një marrëzi të re. Edhe politika serbe edhe ajo greke, që të dyja janë në shqetësimin permanent që po i çon në prag të marrëzisë së re antishqiptare. Dhe shenjat janë se ky shqetësim patologjik do të vijojë të thellohet.
Kjo po ndodh sepse edhe Greqia, edhe Serbia, janë dy shtete pa histori reale. Që të dy këta shtete janë ngritur si pasojë e dy investimeve në falsitet, që në fakt i kanë bërë fuqitë e mëdha europiane. Por sot po spikat që edhe politika amerikane, edhe politika gjermanë janë kundër vazhdimit të falsitetit historik serbo-grek kundër shqiptarëve.
Ajo që spikat si fakt, në qendër të të dy këtyre dy shteteve me histori false, është ndërmarrja e ethëshme genocidale kundër shqiptarëve për t’iu marrë atyre territoret. Tani këtë fakt historik e di gjithkush, dhe kjo është arsyeja kryesore që vetë politika perëndimore, dhe sidomos politika amerikane dhe politika gjermane, janë të mirëinformuara dhe kuptohet se janë vënë sot kundër historisë së falsitetit greko-serb, por po kuptohet se ndërkohë, këto politika janë edhe pro rivlerësimit të historisë së Shqipërisë.
lll.
Pse po kërkohet që të të rivlerësohet historia e Shqipërisë?
Arsyeja kryesore është fakti që politika anglosksone e kuptoi se ka qenë gabim historik që, duke u nisur nga fiksione të pavërteta fetare, në dyqind vjet histori, ata kanë dëmtuar rëndë historinë e popullit më të vjetër të Europës – shqiptarët.
Politika amerikanë, jo vetëm që e konstatoi këtë fakt, por edhe u hodh në veprim që në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, akt ky që kulmoi me luftën për pavarësinë e Kosovës në vitin 1999. Por që vijon edhe sot.
Sot në fakt janë dy politika të mëdha perëndimore që e kanë kapur dhe janë në veprim real për të risjellë në parametra modernë historinë e fshehur të Shqipërisë.
Por ndonëse sot shqiptarët i kanë në favor të vet të dyja politikat më të mëdha të botës perëndimore, ata kuptohet se janë të bllokuar nga lidërshipët e tyre politikë, të cilët pasi i kanë grabitur shqiptarët me një korrupsion njëzetvjeçar, kërkojnë tani që t’i shpërbëjnë. Në fakt, pikërisht kjo është politika e korrupsionit të lartë shtetëror sot në Shqipëri; dhe kjo politikë arrihet vetëm me anë të destabilitetit të brendshëm shoqëror në Shqipëri, por edhe në Kosovë.
Ajo që vihet re sot në Shqipëri është tendenca e një politikë që kërkon të destabilizojë shoqërinë shqiptare deri në anarki, në mënyrë që të mos ketë mundësi të ngrihet SPAK-u, domethënë grupi institucional që mban brenda vetes Prokurorinë e Posaçme dhe Gjykatën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që shkurt mund të quhet Gjykatë e Posaçme.
Të dy këta institucione në fakt janë pika e madhe e shpresës së shqiptarëve për të larë një herë e mirë duart me abuzuesit e saj që i kanë dhunuar sidomos në këta njëqind vjetët e fundit. Por, më konkretët, ata që do t’i “paguajnë” edhe mëkatet e paraardhësve të tyre njëqindvjeçarë, janë të korruptuarit e njëzet vjetëve të fundit.
Edhe Prokuroria e Posaçme, edhe Gjykata e Posaçme janë dy institucionet ligjzbatuese dhe goditësit më kryesorë, të cilat, opinioni i shëndoshë shqiptar, po i pret me padurim dhe gjithë shpresë.
Ligji për Prokurorinë e Posaçme, dhe për Gjykatën e Posaçme është miratuar që në tetor të vitit 2016, por që deri tani është penguar nga Gjykata Kushtetuese e degraduar shqiptare, e cila aktualisht është jashtë funksionit. Vonesa ka ardhur edhe nga sorrollatja ligjore e korrupsionit kryeministror shqiptar, të të dy krahëve të politikës.
Por më e trembur duket se është aradha korruptive e Sali Berishës, e cila sot po shihet se është hedhur në sulm antishqiptar me çdo mjet.
Por çfarë pritet të ndodhë?
lV.
Gjithçka tani është drejt fundit. Brenda muajit dhjetor do të krijohen me siguri Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërkohë ka ndaluar se ekzistuari çdo pengesë e krijimit të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë – KLGJ dhe KLP. Prandaj kuptohet se gjithçka po shkon drejt strukturimit të SPAK-ut.
Berisha dhe ardha e tij korruptive po i luan të gjithë gurët. Ka krijuar ndërkaq një kërkesë absurde, në mënyrë që të shmangë kontrollin e tij nga Prokuroria e Posaçme dhe nga Byroja Kombëtare e Hetimit. Ndërkohë nuk merr pjesë në Parlament, sepse kërkon të bllokojë Reformën, përkatësisht ngritjen e institucioneve të specializuara që thamë më lart. I drejtohet çdo grupi shoqëror për revoltë, por e ka të kotë. Drejt hetimit për korrupsion do të shkojnë që të gjithë.
Kjo është arsyeja pse të gjithë këta tani e kanë shpresën te destabilizimi i Shqipërisë. Duan përplasje shoqërore. Por janë me optikë të turbullt. Nuk shohin dot, kurse frika i shtyn drejt absurdit. Vërtet mendojnë këta që shqiptarët do të ngrihen për të shkatërruar Shqipërinë në mënyrë që vjedhësit e tyre të shpëtojnë gjënë e vjedhur, dhe ndëshkimin antikorrupsion! Në fakt, ky naivitet vjen si pasojë e frikës.
V.
Po kryeministri aktual shqiptar?
Ka ardhur koha që ky duhet të ketë shumë kujdes. Asgjë nuk mund të shtyhet më tej me aleancën e tij Basha, se është një kotësi naive e shtyrë nga frika. Në fakt, orvatja e Ramës për ta shtyrë me tej me zvarritje çështjen e Reformës, ka dështuar, sepse ajo ishte e dështuar që në fillim të saj.
Po, çfarë mendje shterpë kanë këta fakirë! Pse, vërtet mendojnë këta të mjerë se mund të mundin politikën amerikane në interesin e saj? Di gjë ky Rama, a e ka mundur ndokush deri më tani politikën amerikane?
Këto kohët e fundit, duket sikur ky Rama ka kthyer. Të shohim. (!)
Por, kryeministri aktual një gjë duhet të ketë të qartë: sot nuk ka asnjë forcë që të ndalojë rrjedhën historike të nisur për ngritjen reale të botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Ky është njëherësh interes shqiptar, interes amerikan dhe interes gjerman. Ja shembulli: ku e ka Rama Erdoganin antiperëndimor? Drejt mbytjes. Duket se janë prerë marrëdhëniet e ngushta Erdogan-Rama. Pse?
Atëherë.
Askush nuk e ndalon dot ringritjen e Arbërisë etnike, askush: as në Tiranë, as në Prishtinë dhe as në Shkup. Edhe serbët, edhe grekët nuk mund të jenë më atletët amerikanë për politikën globale në Ballkanin Perëndimor. Gjithçka po flet për shqiptarët dhe me shqiptarët.
Por ajo që po spikat edhe në këtë rast kaq të favorshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët në Ballkanin Perëndimor, është sëmundja e vjetër e krerëve që kanë drejtuar shqiptarët dhe Shqipërinë: shitja e interesit kombëtar për arsye private korruptive.
Por, kjo kohë, sigurisht që do t’i përmbysë përfundimisht.