Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim të fortë ndaj Beogradit. Ka nisur në Pejë mbledhja e përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, e pesta e tillë.
Heqja e roaming dhe unifikimi i doganave janë vendimet kryesore qe pritet të merren. Kryeministri Edi Rama që mori fjalën pas kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj përmendi letrën e At Shtjefën Gjeçovit dërguar Konicës ku fliste për bashkimin, ndërsa i dërgoi një mesazh të fortë BE-së.
“I nderuar kryeministër Haradinaj, të nderuar anëtarë të qeverive të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Dje përkujtuam në Prizren për të dytën herë brenda këtij viti amanetet dhe urdhëresat e Lidhjes shqiptare, të cilat koha jo vetëm nuk i ka zbehur aspak por i ka në rendin e ditës.
Dhe sot dua të sjell këtu pasazhet e një letre që shqiptari i madh prej Kosove At Shtjefën Gjeçovi i dërgonte prej Pejës Faik Konicës në 1898. “Zemra e një shqiptari të vërtetë do të lakmonte bashkimin ndër vete…”
Për Shqipërinë Kosova është një shtet i pavarur, sovran, i barabartë me të ngjashmin e tij në një regjim kushtetues e liberal, garancia e të cilit është çelësi i stabilizimit rajonal dhe ndërlidhjes rajonale. Për Kosovën Shqipëria është natyralisht shteti më i prirur për bashkëpunim dhe më i interesuar për suksesin e Kosovës.
Sot është dita për ta thënë me forcë se e drejta ndërkombëtare nuk njeh gjysmë shtete apo shtet në letër të zhveshur. Kjo drejtësi është ajo e të drejtave të njeriut që nuk njeh gjysmë njerëz.
Ne i kemi mirëpritur në çdo çast të gjitha dinamikat shumë palëshe apo dy palëshe që çojnë drejt plotësimit të kuadrit gjysmë të plotësuar.
Kemi qenë dhe mbetemi të zhgënjyer nga qasja e BE-së dhe të gjitha atyre shteteve që janë në themel të pavarësisë së Kosovës në raport me të drejtën për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj.
Dhe ja pse themelimi i forcave të armatosura të Kosovës ishte hapi i duhur dhe domethënës në kuptim të plotësimit të kuadrit të një shteti që nuk mund të konsiderohet nga askush një gjysmë shtet. Ngjarjet si e Interpolit, shfaqje dekurajuese”, deklaroi kryeministri Rama.