Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është tërbuar nga mbledhja e përbashkët e qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, sot në Pejë. Pas publikimit të agjendës dhe të temave që pritet të diskutohen dhe marrëveshjet që pritet të nënshkruhen sot në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, ka ardhur reagimi i fortë i Presidentit Vuçiç.
Vuçiç këtë takim e ka quajtur si hipokrizi, pasi që sipas tij, përderisa Kosova ka vendosur taksë doganore 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovincës, në anën tjetër me Shqipërinë po tenton të heq kufijtë dhe taksat për mallrat e Kosovës, pra të heq barrikadat ekonomike.
“Është kulmi i hipokrizisë, jo vetëm për shqiptarët që jetojnë në Kosovë dhe Shqipëri, por edhe për të gjithë ata që e lejojnë një gjë të tillë”, ka thënë Vuçiç i nervozuar.
Vlen të theksohet se edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka përkrahur këtë vendim të qeverisë së Kosovës. Kjo u bë e ditur përmes publikimit të një fotografie me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ku mbishkrimi i kësaj fotografi ishte “100%”.
E pas publikimit të kësaj fotografie, kanë reaguar mediat serbe, duke e cilësuar si provokim të ri dhe si vendim qesharak përkrahjen e kryeministrit Edi Rama.