Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi sot gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak se ish ministri i Transporteve dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha është autori i ndryshimeve ligjore që detyronte fëmijët nga mosha 0 deri në 6 vjeç të paguanin biletën e udhëtimit në transportin urban.
Ai sqaroi se administrata aktuale e Bashkisë Tiranë i ka kërkuar kompanive të transportit urban në qytetin e Tiranës që fëmijët e kësaj moshe të udhëtojnë falas në autobusët urban.
Kjo pasi, sipas tij, qeveria e mëparshme e Partisë Demokratike e kishte hequr këtë detyrim për kompanitë me ligj, duke i lënë atyre dorë të lirë për të detyruar fëmijët që të paguanin biletën.
“U ngrit një histeri për çmimin e biletës për fëmijët. Në fakt ligjin e transportit urban në Republikën e Shqipërisë e ka bërë ish-ministri i Transportit, Lulzim Basha në vitin 2007, që ka hequr ligjin e kohës së Adil Çarçanit që thoshte nga 0 deri në 6 vjeç udhëtimi është falas.
Bashkia jonë në kundërshtim me ligjin e Lulit ministër i transporteve i ka kërkuar në mënyrë të paligjshme nëse flasim në sensin juridik të këtyre profesorëve të Juridikut që sa bojkotuan mbledhjen.
I kemi kërkuar ne në kontratë që fëmijët të udhëtojnë falas. Po të ishte për ligjin e Lulit ministër Transporti, oligarkët i kishte pasuruar me biletat e kalamajve nga 0 deri në 6 vjeç. E kishim ministër Transporti, partia tjetër aleate kishte të tjerë ministër Transporti pas Lulit.
10 vjet Ministria e Transportit o PD o LSI. Ja ku jemi. Prandaj ikin, nuk duan ta dëgjojnë të vërtetën”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.