Ridvan Bode, ish-ministri i Financave i PD-së, mësohet se mund të jetë kandidat për të emëruar si anëtar Bordi Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Mësohet se ish-ministri i Sali Berishës, është një nga kandidatët më të mundshëm, që do të paraqitet në Kuvend për tu votuar dhe mandatuar për një periudhë 7 vjeçare, si pjesë e plotësimit të vendeve në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Aktualisht, në bord janë dy anëtarë të Kuvendit që u ka përfunduar mandati. Gjithsej janë 6 anëtarë, nga të cilët 3 qeveria dhe 3 Kuvendi. Në kohën kur opozita mungon në Kuvend, zgjedhjen e kandidatëve e bën sërish mazhoranca me shumicë votash për të votuar kandidatët.
Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së, është organi më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, pjesë e të cilës do jetë me pëlqimin e Kuvendit dhe ish-ministri Ridvan Bode, që edhe pse ka vite që nuk mban pozicione politike… “prapa i vjen hostoria”!
Për ata që nuk i dinë historitë e Ridvan Bodes, të pastrehut që u kthye miliarder me politikë, ja kush janë 3 dosjet e famshme që sterrosin figurën e ish-ministrit të PD-së
Dosja e parë, i ish-kryefinancierit të Sali Berishës, Ridvan Bode, dora e zezë në shumë dallavere, operacione dhe manovra financiare të pushtetit të kaluar, ka një llogari të trefishtë me drejtësinë.
Sa herë në kampin demokrat rihapet debati për mëkatet e qeverisjes tetëvjeçare dhe artikulohen akuza të forta në adresë të ish-zyrtarëve të rrethit të parë, në mend të vjen natyrshëm emri i Bodes.
Akuzat në ngarkim të ish-kryefinancierit janë të rënda. Ridvan Bode akuzohet nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për fshehje pasurie, refuzim të deklarimit të pasurisë, deklarim i rremë dhe pasim të produkteve të veprës penale.
Ridvan Bode nuk justifikon dot vilat dhe llogaritë bankare në emër të familjarëve. Dosja e rëndë qëndron prej disa muajsh në organin e akuzës.
Dosja e dytë lidhet me një hua shtetërore. Ish-kryefinancieri i Sali Berishës akuzohet gjithashtu për favorizim flagrant të CEZ, duke i ulur çmimin e energjisë elektrike, në kurriz të buxhetit të shtetit.
Në dosjen e referuar në prokurori ka një urdhër që mban firmën e Ridvan Bodes, i cili detyron KESH të ulë çmimin e energjisë për CEZ. Kostoja është 30 milionë euro.
Dosja e tretë e Ridvan Bodes, lidhet me një borxh për rrugën e Kombit. Ish-kryefinancieri ka marrë 250 milionë euro kredi pa garë. Kostoja është 60 milionë euro.
Por, teksa kolegu i Bodes, Myqerem Tafaj, po jep llogari para togave të zeza, për licensimin e një universiteti, veprim ky modest në raport me tre aferat në fjalë, një dorë e fshehtë ka ngrirë dosjet e Ridvan Bodes.
Edhe pse shkeljet dhe abuzimet janë flagrante dhe të dokumentuara, ka një ndërhyrje dhe lobim misterioz për të shpëtuar, ndoshta përkohësisht, ish-kryefinancierin.
Po pse Bode është rrethuar me paprekshmëri, ndërsa ish-ministrat e tjerë të Berishës po përfundojnë në gjykatë? Kush po i mban peng hetimet për ish-ministrin kryesor të Berishës dhe simbolin e abuzimeve të pushtetit të kaluar?
Kush ia ka lidhur sytë dhe duart kryeprokurorit Adriatik Llalla? Cili është sekseri apo fija e padukshme e Ridvan Bodes që lidh segmente të qeverisë, segmente të SHQUP dhe të organit të akuzës?
Konkretisht kush është sekseri mes Bodes dhe Astrit Patozit, Bodes dhe Edi Ramës, Bodes dhe segmenteve të tjera të pushtetit?
Me çfarë alibie kryeprokurori nuk rrëfen të paktën njërën nga tre dosjet në fjalë, në gjykatë? A i është kërkuar prokurorisë ngrirja e dosjeve të Bodes në emër të kryeministrit?/Ekskluzive.al