Shumëkush e ka parë kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha të çirret në media me pretendimin se kostoja e ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës është e fryrë dhe abuzive. Në jo pak raste ka tentuar tu mbushë mendjen qytetarëve se madje rrugët në kohën kur vendin e drejtonte Partia Demokratike bëheshin me kosto shumë më të ulëta.
Përtej sqarimeve që Autoriteti Rrugor ka dhënë në mënyrë të detajuar duke rrëzuar pretendimet e opozitës për koston e projektit në total, vlen të sillet në vëmendjen e publikut kostoja e një vepre të ndërtuar në Tiranë kur vendin e drejtonte Partia Demokratike dhe Lulzim Basha ka mbajtur detyrën e Ministrit të Transportit dhe Punëve Publike.
Shikoni kontratën e nënshkruar nga kompania Alpine Mayreder bau GmbH me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve në vitin 2007. Mbikalimi i Kamzës, të cilin të gjithë keni patur rastin ta shikoni e që përbën një vepër të thjeshtë infrastrukturore me një rrethrrotullim Kategoria B, ka kushtuar jo pak por 8,367,830.94 Euro dhe ka përfunduar në vitin 2008.
Ndërkaq, kushdo mund ta kuptojë diferencën mes veprave infrastrukturore të ndërtuara nga qeverisja e Partisë Demokratike dhe asaj që po ndodh sot. Përpara 11 vitesh, Partia Demokratike shpenzoi 8.4 milion euro për një mbikalim të thjeshtë. Sot, 11 vite më vonë, kur kostot e ndërtimit kanë pësuar rritje së paku me 30%, nyja e Sheshit Shqiponja si pjesë e Unazës së Tiranës ka në total një kosto prej 9.6 milion euro.
Në ndryshim nga mbikalimi tek Casa Italia, nyja inxhinierike në sheshin Shqiponja ka 3 nivele. Së pari është mbikalimi kryesor që përbëhet nga: urë mbikalimi 110 ml; dy rampat anësore 310 ml; panduset rakorduese janë mbushje me tokë të armuar të veshura me mure betony për veshjen arkitektonike.
Ndërkaq, rrethrrotullimi i sheshit Shqiponja ka rreze të brendshme R=35.5 m dhe të jashtme 46 m. Nënkalimi krijon lidhjen e rrugës Dritan Hoxha me autostradën Tiranë-Durrës është projektuar në strukturë box me gjërësi të brendshme 16.5 m, me gjatësi 310 ml përkatësisht 2 korsi 3.5m + bankine 0.5 m, trafikndarëse 0.5m dhe lartësi të brendshme 5 m.
Por çfarë e bën edhe më qesharak Lulzim Bashën teksa çirret në media? Procesverbali i marrjes në dorëzim të veprës së tij “Mbikalimi i Kamzës”. Në shkresën që mban datën 1 Tetor 2008, Komisioni i Marrjes në Dorëzim bëri inspektimin e objektit në prani të përfaqësuesve të firmës dhe arriti në përfundimin se pavarësisht se ishin shpenzuar 8.4 milion euro, ajo kishte së paku 18 defekte.
Komisioni konstaton shtresat e tapetit si të papranueshme; probleme me prerjen e asfaltit në vijë të drejtë; probleme me pikat lidhëse në neë jersey; probleme me shtyllat e ndriçimit; sistemin e tokëzimit të shtyllave; sistemimin e bordurave; betonat e kunetave; bashkimet e elementëve të pusetave të shiut; shtresa problematike betoni; probleme me trotuaret; mungesë konstruksionesh metalike për tabelat e mëdha rrugore; defekte në pjerrësinë e trotuarit.