Prokuroria Speciale e Maqedonisë tha dje se ka depozituar dy padi të reja ndaj ish-kryeministrit në arrati Nikola Gruevski, i cili njoftoi kësaj jave se ka fituar azil politik në Hungari. Grupi i emëruar nga Prokuroria Speciale për hetimet e administratës së Gruevskit dorëzoi dje akuzat për financime ilegale të partisë së tij politike VMRO-DPMNE dhe ndërtimin ilegal të selisë madhështore të partisë në qendër të Shkupit. Financimet ilegale të VMRO sjellin në bankën e të akuzuarve gjashtë persona. I arratisuri Nikolla Gruevski, Mile Janakieski dhe Kiril Bozhinovski akuzohen për shpërdorim detyre dhe pastrim parash, ndërsa Ilija Dimovski, Leko Ristoski dhe Elizabeta Çingarovska akuzohen vetëm për pastrim parash. Sipas prokurorisë, Gruevski nga viti 2009 deri në vitin 2015 ka siguruar para në mënyrë të paligjshme, i ndihmuar nga Janakieski dhe Bozhinovski, të cilët kanë kryer presion për të zhvatur para nga kompanitë që morën tendera ndërtimi nga qeveria e Gruevskit. Në aktakuzë thuhet se mbi 4.5 milionë euro janë mbledhur ilegalisht.
Akuzat në detaje
“Me qëllim të fshehjes që mjetet e këtilla vijnë nga vepra penale, të akuzuarit Nikolla Gruevski dhe Kiril Bozhinovski, ndërsa në periudhën 2011-2015 edhe të akuzuarit Mile Janakievski dhe Elizabeta Çingaroska, kanë organizuar mjetet të paguhen në xhiro llogari të partisë politike VMRO-DPMNE përmes pagesave të gatshme në fletëpagesa ku janë shënuar të dhëna jo të vërteta”, njoftojnë nga Prokuroria Speciale Publike. Ndërsa për ndërtimin e selisë partiake të VMRO-DPMNE, të akuzuar janë Nikolla Gruevski dhe Kiril Bozhinovski. “Përkundër faktit që për personin juridik DG Beton SHA Shkup ishin në fuqi kufizimet nga Ligji për financimin e partive politike, të akuzuarit gjithsesi kanë pranuar që personi juridik DG Beton SHA Shkup, të ndërtojë selinë e partisë politike VMRO-DPMNE, e cila ka pasur vlerën investuese prej 6.906.231 euro, si dhe të paguajë në xhiro-llogarinë e partisë një shumë prej 2.155.668 euro, në një kohë kur investimet e VMRO-DPMNE ishin vetëm 815.323 euro”, thuhet në padinë e Prokurorisë Speciale Publike.
Një i dënuar nuk mund të strehohet në BE
Shkupi zyrtar ka vijuar dje presionin ndaj Hungarisë për strehimin e Gruevskit, teksa ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov, e quajti paradoksale që një vend i Bashkimit Evropian strehon një të dënuar për korrupsion. Deklarata e tij u bë gjatë një takimi me Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Danimarkës. “Është sa ironike dhe paradoksale që një njeri i dënuar për korrupsion gjen strehim dhe fiton azil në një vend anëtar të BE. Kjo gjë është një problem për Bashkimin Europian dhe për besueshmërinë e parimit të sundimit të së drejtës në bllok”, theksoi Dimitrov. Ndërsa zëdhënësi i qeverisë Mile Bosnjakovski, u shpreh i sigurt se Gruevski do të kthehet dhe do të vuajë dënimin e dhënë nga gjykata, pasi pretendimet e parashtruara prej tij në kërkesën për azil janë të pabaza.“Deri tani në të gjitha procedurat gjyqësore të ekstradimit midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Hungarisë nuk janë vënë re parregullsi. Është e qartë si kristali se pretendimet e Gruevskit janë të pabaza,” tha Bosnjakovski.
Andi Lamko