Në një letër të hapur drejtuar popullit shqiptar, Vasil Petriti shpjegon pse qeveria është kundër BE dhe SHBA, dhe pse duhet rrëzuar:
“Të dashur shqiptarë!
Nevoja për të rrëzuar qeverinë nuk vjen nga dëshira për pushtet, por nga vendosmëria e qeverisë kundër politikës së perëndimit në Shqipëri.
Po u jap disa argumente.
E para, qeveria jonë ka bërë ish- kryeprokurorin Llalla “kokë turku” mes SHBA dhe BE, duke futur në luftë dy kontinente.
Ndërsa qeveria amerikane e ka shpallur “non grata”, pasi e ka gënjyer ambasadori i SHBA në Tiranë që punon për Edi Ramën, qeveria gjermane e mban në mes të Berlinit me gjithë të mirat, pasi nuk e ka gënjyer ambasadorja gjermane në Shqipëri.
Kështu janë dy kontinente që zihen për Tik Llallën, vetëm se i ka futur në sherr qeveria shqiptare, e cila ka kapur ambasadorin e SHBA dhe atë të BE.
Kjo nuk duhet të lejohet. Ne po shkaktojmë luftëra botërore dhe për këtë do mbajmë përgjegjësi.
E dyta, qeveria ka futur në kurth qeverinë amerikane, pasi e ka dizinformuar atë për rastin “Llalla”, dhe qeveria amerikane kur të marrë vesh të vërtetën, do t’ia nxjerrë inatin popullit shqiptar.
Ndaj të ngrihemi në këmbë sa më parë që të mos ndëshkohemi ne për qeverinë, por qeveria për ne.
E treta, qeveria shqiptare ka gënjyer BE, pasi ka blerë ambasadoren e BE në Shqipëri dhe i ka mbushur mendjen që të hapë negociatat e Shqipërisë me BE.
Po u hapën negociatat, Edi Rama nuk e bën më reformën në drejtësi, do shesë kufirin me Greqinë, do fillojë të mbjellë kanabis dhe do fitojë prapë zgjedhjet, gjë që nuk është në interes të Perëndimit.
Ndaj duhet t’i hapim sytë Europës, që kjo qeveri duhet rrëzuar.
E katërta, qeveria “Rama” po gënjen Europën dhe SHBA duke arrestuar disa ish- zyrtarë, shumica të LSI dhe PD, duke i paraqitur si luftë kundër korrupsionit.
Sa ta marrë vesh SHBA e BE që kjo po i gënjejnë, do na kalben njerëzit në burgje, ndaj duhet ngritur një orë e më parë.
Së fundmi, qeveria po shantazhon BE dhe SHBA, që nëse nuk e ndihmon atë, ajo do gjej partnerë të tjerë, ndërkohë që duhet të ishte e kundërta, që nëse kjo qeveri nuk ishte me SHBA e BE, ata të ndërronin partner dhe të ishim ne në vend të kësaj qeverie.
Për këtë jemi gati të heqim dorë nga katër kërkesat e tjera, ndaj duhet të përmbysim qeverinë një orë e më pare”.