Një 38-vjeçare nga Tirana ka rënë në prangat e policisë, pasi akuzohet për veprën penale “Mashtrim”.
Në dosjen e Prokurorisë bëhet e ditur se nëpërmjet mashtrimit ajo ka përvetësuar një shumë prej 900 mijë eurosh.
Historia daton që prej vitit 2016.
Olesia Duka kishte vetëm një qëllim ndaj shtetasit I.H: Atë të grabitjes përmes mashtrimit.
Mirëpo, mashtrimi i Olesia Dukës është kuptuar dhe është paditur.
Prokuroria sqaron se autorja e ngjarjes, ka vazhduar të kryejë veprime në mbulimin dhe dredhinë për mashtrim dhe vjedhjes së shumave të mëdha parash edhe tek disa persona të tjerë.
Për këto arsye nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, është caktuar masa e sigurimit arrest ne burg për shtetasen Olesia Duka, me banim në Tiranë.
Nisur nga dëmet e mëdha të shkaktuara, Gjykata ka vendosur sekuestron preventive për pesë pasuri të autores dhe familjarëve të saj me një vlerë mbi 300 mijë euro.
Skema e mashtrimit:
Olesia Duka mashtronte persona të ndryshëm, duke iu marrë shuma të mëdha parash.
Ajo mashtronte qytetarët, duke iu thënë se kishte 8 klinika dentare dhe se i duheshin paratë për të blerë aparatura apo materiale të linjës.
Pasi i merrte paratë, ajo nuk i kthente më, ku vlera e mashtrimit arrin deri në 900 mijë euro.
Burime të Report Tv bëjnë me dije se stomatologia kishte në fakt vetëm një klinikë në Tiranë.
Burimet nga Prokuroria thonë se stomatologia Duka ishte një person i njohur, pasi kishte marrë pjesë në disa fondacione bamirësie dhe klinika e saj në kryeqytet është ndër më të njohurat, dhe kështu ajo përdorte famën, duke krijuar lidhje me biznesmenë dhe persona të ndryshëm, të cilët më pas i mashtronte.
Dosja e prokurorisë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në bashkëpunim me Sektorin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë mundësoi zbulimin e një vepre penale të një shtetasje për mashtrim me vlera të mëdha financiare, deri në 900 mijë euro.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në 26 janar 2018 ka filluar procedimin penal nr. 143/2018, për veprën penale “Mashtrimi”, te parashikuar nga neni 143/3 i K. Penal në ngarkim të shtetases Olesia Duka banuese në Tiranë në dëm të shtetasit paditës I.H.
Nga materialet hetimore paraprake të mbledhura ekzistojnë dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova se nga autori i veprës penale Olesia Duka (madhor) është kryer vepra penale e “Mashtrimit” parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal, i cili me anë të veprimeve të gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit vazhdon të mos kthejë shumën e parave të marra duke kryer në këtë mënyrë veprën penale ndaj të dëmtuarit I.H.që nga njohja mes tyre në nëntor 2016.
Autori i veprës penale vazhdon të kryejë veprime në mbulimin dhe dredhinë për mashtrim dhe vjedhjes se shumave të mëdha parash edhe tek disa persona të tjerë.
Për këto arsye nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, është caktuar masa e sigurimit arrest ne burg për shtetasen O.D. e datëlindjes 26.09.1980, me banim në Tiranë.
Nisur nga dëmi i madhe i shkaktuar të dëmtuarit nga vepra penale, nga ana e Gjykatës është vendosur sekuestroja preventive për pesë pasuri të autorit dhe familjarëve të tij me një vlerë mbi treqind mijë Euro.
Hetimet vazhdojnë për identifikimin e shumave të vjedhura dhe të fshehura nga ana e autorit të veprës penale./dita