Nga Endri Kajsiu
Protesta e sotme para Kuvendit të Shqipërisë, fatkeqësisht, nuk rezultoi të ishte ajo e një grupi njerëzish që kërkojnë të drejtën e tyre përpara vendimeve arbitrareve të shtetit, siç jemi mësuar të shohim në shumë vite tranzicioni.
Kjo jo vetëm sepse protesta u instrumentalizua nga deputetë të PD të vendosur aty, apo ish truprojet me background kriminal të Sali Berishës, por për fundin e paprecedentë që pati, atë të një dhune barbare mbi punonjësit e rendit.
Dhuna e sotme mbi policinë e shtetit, sulmet me kapsolla mbi viktimat, janë shprehja e fundit e degradimit të mendësisë së atyre që mbijetesën në këtë vend, për vite me rradhë e kanë lidhur vetëm me paligjshmërinë dhe asgjë tjetër.
Gjithkush që ka ndërtuar një biznes në një rrugë, në një hapësirë publike, e që merr guximin të ushtrojë dhunë brutale mbi policinë e shtetit, nuk është një qytetar, është një barbar!
Gjithkush që ndërton pa leje mbi hapësirën që na takon të gjithëve dhe pastaj kur i duhet të përballet me pasojat e paligjshmërisë, i vërsulet dhe i këput gishtat e dorës një efektiveje, është vetëm një barbar i ushqyer nga paligjshmëria, për të cilin ligjet, normat, respekti për rregullin dhe për jetën e individit, janë koncepte të huaja.
Është e njëjta mendësi brutale me të cilën identifikohet edhe Partia Demokratike vetë, në çdo kohë. Si në pushtet, atëherë kur protestuesit qëlloheshin me urdhër nga zyra e Kryeministrit, ashtu edhe në opozitë, siç bëri sot, duke ndërsyer barbarët për t’i prerë gishtat, vajzave të policisë së shtetit.