Rreth 570 kilogramë kanabis ka qenë sasia e drogës së sekuestruar nga policia gjatë një aksioni antidrogë të zhvilluar në afërsi të Pikës së kalimit Kufitar të Qafë Thanës gjatë të mërkurës.
E gjithë sasia në fjalë e lëndës narkotike sipas burimeve zyrtare ishte e fshehur në shasinë e një furgoni mallrash me ngjyrë të bardhë. Ky mjet transporti dyshohej se do të kalonte fillimisht në shtetin fqinj të Maqedonisë nëpërmjet Pikës së kalimit Kufitare të Qafë-Thanës, ndërsa destinacioni përfundimtar nuk dihet ende.
Dyshohet se një numër i madh personash janë përfshirë në trafikimin e drogës së kapur në afërsi të pikës së kalimit kufitar të Qafë Thanës, ndërsa policia deri më tani ka arrestuar 7 persona dhe një tjetër e ka shpallur në kërkim.
Në mesin e personave të arrestuarve është edhe drejtuesi i mjetit me ngarkesën prej 570 kg kanabis sativa. Mjeti me targë AA 356 NA që po transportonte më shumë se gjysmë tonelate drogë rezulton të jetë në pronësi të një biznesi nga Qarku i Fierit.
Në operacionin antidrogë morën pjesë policia e Elbasani si dhe forcat speciale të cilët ndaluan furgonin me drogë jo shumë larg pikës së kalimit kufitar me Maqedoninë, pasi e kishin mbajtur në vëzhgim të rreptë që nga vendi nga ku ishte nisur me ngarkesën e drogës.
Operacioni u finalizua pas hetimeve disa mujore nga antidroga se me këtë furgon trafikoj sasi e madhe droge me destinacion një nga vendet fqinje.
Hetimi sipas burimeve zyrtare është shtrirë në qarqet e Elbasanit dhe të Fierit. Dyshohet së pjesë e këtij rrjeti është një organizatë kriminale me fuqi të madhe ekonomike.
Aktualisht janë identifikuar disa persona të tjerë të përfshirë në trafikun e sasisë prej 570 kg kanabis sativa, disa prej të cilëve dyshohet se janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut drogës nga Shqipëria.
Prej mesditës së të mërkurës Antidroga është në operacion për arrestimin e tyre dhe burime të besueshme kanë paralajmëruar arrestime të bujshme.
Gjithsesi paraditen e kësaj të enjte pritet të konfirmohen zyrtarisht rezultatet dhe detajet e imtësishme të operacionit që u finalizua me bllokimin e drogës në një furgon në pronësi të një biznesi të njohur nga Fieri.