Në një kohë që Partia Demokratike po organizon protestat te Unaza e Madhe kundër projektit për ndërtimin edhe të aksit të mbetur të saj, me argumentin se preken objekte ndërtimi,është vetë kjo forcë politike që në kohën kur ishte në pushtet ka vendosur moslegalizimin e tyre.
Në kohën e qeverisë “Berisha”, do të miratohej ligji për legalizimet duke vendosur se të gjitha objektet që pengojnë projektet e rëndësishme infrastrukturore, sikurse janë edhe ato tek Unaza e Madhe, përjashtohen nga procesi i legalizimit.
Kjo periudhë përkon pikërisht me kohën kur kreu aktualiI PD, Lulzim Basha ishte pikërisht ministër i Transportit në qeverinë “Berisha” (shtator 2005 – Maj 2007), duke qenë edhe një nga firmëtarët e këtij vendimi në mbledhjen e qeverisë duke qenë një organ që merr vendime kolegjiale.
Bazuar në nenin 39 të Ligjit Nr. 9482, Datë 03.04.2006 “Për legalizimin” të miratuar në kohën kur të djathtët ishin në pushtet, janë përjashtuar nga procesi i legalizimit e për pasojë nuk shpronësohen e nuk marrin vlerën e banesave dhe bizneseve të tyre.
“Përjashtimi nga legalizimi Ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi në ndërtimet me leje që, në bazë të akteve ligjore e nënligjore në fuqi, cenojnë veprat kryesore të infrastrukturës publike, akset rrugore kombëtare, territorin e institucioneve publike, integritetin e monumenteve të kulturës nuk legalizohen. Kriteret, procedurat dhe dokumentacioni i zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtimet me leje, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet shprehimisht në ligjin e miratuar në dy vitet e para të qeverisjes së Berishës.
Ndërkohë, inicimi i këtij projekti për realizimin e Unazës së Madhe, si projekt-ide daton që në kohën e qeverisë së Adil Çarçanit dhe realizimi daton që në vitin 1996. Pikërisht, në segmentin rrugor Pallati me Shigjeta – Sheshi Shqiponja, me një projekt të hartuar në atë kohë nga ISPN2 (Instituti i Studim Projektim Ndërtim 2, ku profili tërthor i parashikuar ka qenë 58 m), për arsye financimi dhe të tjera në atë kohë nuk u realizua në zbatim. Sipas saj, ky projekt është miratuar nga Bashkia e Tiranës edhe në vitin 2012, kur në krye ishte Lulzim Basha.
Ndërtimi i Unazës së Madhe do të shërbejë si lidhje me akset nacionale të rrjetit rrugor duke lidhur pjesën veriore të Shqipërisë me pjesën juglindore duke krijuar avantazhe të pakrahasueshme si për trafikun në qytetin e Tiranës, por edhe lidhjen me pjesët e tjera të vendit./Tiranapost