Kryeprokurorja Arta Marku ka nisur tentativat për të rihapur dosjet e bujshme. Në prokuroi gjatë viteve të fundit ka pasur padi ndaj shumë ish-ministrave, ministrave dhe deputetëve, por përveç Spiro Kserës, askush nuk shkoi në burg. Në akuzë kanë qenë madje dhe Lulzim Basha, Sali Berisha, Ilir Meta dhe shumë të tjerë.
Por kryeprokurorja ka nxjerrë dje një udhëzim, ku kërkon që të rinisin hetimet pasurore për të gjithë ata personazhe që i kanë shpëtuar drejtësisë. Marku tha kohë më parë se po gjen mekanizma për të rihapur dosjet e bujshme dhe mesa duket e ka gjetur, pasi për të gjithë emrat që nuk janë ndëshkuar, do të ketë hetim pasuror. Në udhëzimin e siguruar nga gazeta, Marku ka kërkuar që pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda të ngrihet një njësi e posaçme, e cila do të merret me hetimin pasuror.
“Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda (në vijim PKR) ngrihet dhe funksionon seksioni i posaçëm për kryerjen e hetimit pasuror kundër pasurisë së personave, të dyshuar për pjesëmarrje në krimin e organizuar, trafikimin dhe korrupsionin, si dhe për kryerjen e krimeve të tjera, që përfshihen në fushën e zbatimit të ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar”, thuhet në nenin 1 të udhëzimit.
Por ajo që bie në sy është se kjo njësi është udhëzuar që të marrë të gjitha dosjet që kanë institucione dhe prokurori në vend, jo vetëm për personat nën hetim, por dhe për ata që kanë qenë dikur të hetuar për korrupsion apo krim të organizuar. Pra kjo do të thotë se do merren dosjet e të gjithë atyre që nuk u ndëshkuan dhe nëse ka dyshime do nisë kontrolli pasuror.
“Prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore të këtij seksioni, nëpërmjet burimeve të ndryshme, të hapura ose jo (mediat, zyrat e prokurorive, Policia e Shtetit, Ministria e Drejtësisë, Shërbimi Informativ Shtetëror, etj.), sipas rastit, menjëherë, por jo më vonë se brenda një afati dy mujor nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi, identifikojnë subjektet (shtetasit shqiptarë ose të huaj me banim në Shqipëri), për të cilët ka dënime të formës së prerë, ka pasur hetime apo ka aktualisht hetime brenda ose jashtë vendit, apo ka indicie të besueshme për pjesëmarrje në veprimtari kriminale, për veprat penale të përcaktuara në nenin 1 të këtij udhëzimi”, thuhet më tej.
Veprat penale
Në udhëzim Arta Marku e ka bërë të ditur se do të hapen të gjitha dosjet për këdo që është dënuar, ka qenë në hetim apo është në proces për akuzat e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Të gjitha prokuroritë janë udhëzuar që të dorëzojnë të gjitha materialet hetimore. Nga ana tjetër janë përcaktuar dhe veprat penale për të cilat do ketë hetim pasuror. Bëhet fjalë për 32 vepra penale, mes të cilave ajo e shpërdorimit të detyrës, korrupsioni i zyrtarëve të lartë, shkelja e barazisë në tendera dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë me abuzimin e detyrës.
Me këtë përcaktim, duket se do të ketë hetim pasuror për qindra zyrtarë të lartë. Shumë janë deputetë e ish-ministra të akuzuar për shpërdorim detyre, korrupsion dhe abuzime me detyrën. Ka shumë zyrtarë të administratës që janë kallëzuar nga ILDKP dhe KLSH po për abuzime me detyrën. Kushdo që është dënuar dhe nuk i është sekuestruar pasuria, por dhe ata që janë hetuar dhe ja kanë hedhur paq, do kalojnë në sitë.
Ja ku do bëhen verifikimet
Në udhëzim janë dhënë detaje dhe si do bëhet verifikimi pasuror. Njësia speciale që do të ngrihet do të kërkojë informacion në të gjitha institucionet shtetërore që merren me administrimin e sendeve të paluajtshme dhe në banka. “Objekt i verifikimeve janë mjetet financiare, pasuritë, veprimtaritë ekonomike, tregtare dhe profesionale, niveli ekonomik, si dhe burimi i të ardhurave të këtyre subjekteve.
Verifikimet kryhen në të gjitha institucionet publike dhe private duke përfshirë, por jo vetëm: Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Bankat, QKB, QKL, DSHTRR, DRTT, Drejtoria e Doganave, ALUIZNI, Kapitaneria e Porteve, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit etj., raporton SOT.Kur lind nevoja për ndihmë juridike ndërkombëtare, zbatohen marrëveshjet ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, si dhe dispozitat përkatëse procedurale”, thuhet aty
Detajet informacioneve
Sipas udhëzimit, prokuroritë e shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm, sipas rastit, menjëherë, por jo më vonë se brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi, duhet të kalojnë kopje të akteve/dokumenteve përkatës ose të dërgojnë informacion në PKR (prokuroria e Krimeve të Rënda), në lidhje me subjektet që kanë pasur në hetim dhe/ose kanë përfunduar hetimet, si në rastet kur janë dërguar për gjykim, ashtu dhe në rastet kur është vendosur pushimi i hetimeve. “Informacioni duhet të përmbajë: -të dhëna për subjektin, -të dhëna për veprën apo veprat penale dhe -të dhëna për mënyrën e përfundimit të procedimit penal ndaj subjektit, të shoqëruara me aktet procedurale dhe/ose dokumentet përkatëse”, thuhet aty.