Shqipëria zuri vendin e fundit në grupin e parë të Ligës C në kuadër të Ligës së Kombeve, duke dështuar në objektivat e saj për t’u ngjitur një ligë më lart, pra në B. Jo vetëm kaq, por kuqezinjtë shpëtuan me fat nga rënia në ligën e fundit, pra Ligën D. Duke pasur parasysh këto humbje dhe rënie në koeficientë, UEFA e ka zbritur Shqipërinë në vazon e katërt të saj, ndryshe nga një edicion më parë kualifikues që ishim në vazon e tretë. Prania në një vazo më të mirë do të thotë më shumë shanse në short që të përballesh me skuadrat e vogla, pra më shumë shanse kualifikimi.
Kurse prania në një vazo të dobët nënkupton që në short do të bien skuadra shumë të forta. Por UEFA i ka bërë përcaktimet e vazove dhe pritet fillimi i muajit dhjetor që të bëhet hedhja e shortit dhe ku secila skuadër të njohë kundërshtarët e saj në grupe. Padyshim, shqiptarët do t’i kenë sytë nga dy skuadrat e tyre, sepse Shqipëria dhe Kosova kanë objektivat e tyre. Kosovarët janë ngjitur nga vazo e fundit, pra kutia gjashtë, në vazon e pestë dhe ky është një progres i ngadaltë por domethënës.
Siç raportojnë mediat sportive online, me përfundimin e ndeshjeve në grupe të Ligës së Kombeve, UEFA ka zyrtarizuar edhe vazot për shortin e eliminatoreve të Europianit të ardhshëm. Ashtu siç pritej pas paraqitjeve në Nations League, Shqipëria do të bëjë pjesë në vazon e 4-t, duke zbritur me një shkallë krahasuar me eliminatoret e Kupës së Botës 2018 ku Shqipëria ishte në vazon e tretë.
Vetëm vazo e 5-të për Kosovën pavarësisht paraqitjeve të shkëlqyera në Nations League, kështu që ekzistojnë mundësitë që kuqezinjtë dhe dardanët të jenë në të njëjtin grup. Në vazon e parë bëjnë pjesë edhe 4 kombëtaret që fituan grupet respektive të Ligës A në Ligën A të Ligës së Kombeve dhe për faktin se në qershor të 2019-ës, Holanda, Portugalia, Zvicra dhe Anglia do të diskutojnë mes tyre trofeun e parë të Nations League, në eliminatore të 4-ta këto përfaqësuese do të shortohen në grupe me 5 ekipe.
Gjermania është surpriza e vërtetë këtij shorti pasi me barazimin e Polonisë ndaj Portugalisë, kombëtarja e pancerave ka zbritur në vazon e dytë dhe të gjithë duan ta evitojnë. Shanset janë që Shqipëria të ketë një përplasje në edicionin e ardhshëm kualifikues të Kampionatit Europian me skuadrën tjetër shqiptare, Kosovën.
Kjo pasi formula e hedhjes së shortit e mundëson një duel të tillë. Dihet që në vazon katër kiu ndodhen kuqezinjtë, do t’i bien në grup një ekip nga vazo e parë, një nga vazo e dytë, një nga vazo e tretë, një nga vazo pesë dhe nëse ndodhemi në grupin midis 6-10 atëherë edhe një skuadër nga vazo e gjashtë. Kjo pasi formati parashikon që pesë grupe të jenë me nga pesë skuadra, kurse pesë grupe të tjera do të jenë me 6 skuadra. E thënë ndryshe, 55 kombëtaret e futbollit në Europë do të kenë një short të vështirë për t’u kualifikuar në Europianin e vitit 2020 dhe matematikisht Shqipëria e vazos së katërt mund të ketë rival në fushë Kosovën e vazos së pestë.
Gjithçka është e mundur. Teorikisht nuk përjashtohet mundësia që në short të na bjerë sërish Serbia, por nuk besohet se do të na bjerë Greqia që ndodhet sikurse ne në vazon e katërt. Natyrisht, nëse na bie në grup Gjermania do ta kemi të vështirë të shkojmë gjëkundi, sepse asaj do t’i shtohet edhe një skuadër e vazos së parë, ku ndodhet ekipe si Anglia, Holanda, Spanja, Franca etj. Në këtë rast, një short i tillë do të ishte “vdekjeprurës” për kuqezinjtë.
Vazo e parë: Anglia, Portugali, Holanda, Zvicra, Spanja, Belgjika, Italia, Kroacia, Franca, Polonia.
Vazo e dytë: Gjermania, Bosnja Hercegovina, Çekia, Danimarka, Islanda, Rusia, Suedia, Ukraina, Uellsi, Austria.
Vazo e tretë: Finlanda, Irlanda e Veriut, Norvegjia, Irlanda, Serbia, Sllovakia, Turqia, Bullgaria, Izraeli, Skocia.
Vazo e katërt: Shqipëria, Qipro, Estoni, Gjeorgji, Greqi, Lituani, Mali i Zi, Estoni, Hungari, Rumani.
Vazo e pestë: Armeni, Azerbajxhan, Bjellorusi, Gjilbraltar, Kazakistan, Kosova, Luksemburg, Maqedoni, Moldavi, Ishujt Faroe.
Vazo e gjashtë: Andora, Letonia, Lihtenshtejni, San Marino, Malta.
Adriatik BALLA