Fitorja me Uellsin me rezultatin minimal 1-0 duket se i ka shpëtuar stolin teknikut të kombëtares shqiptare, Christian Panucci.
Italiani ishte në vështirësi pas ndeshjes, pasi dukej shumë i emocionuar dhe në tension.
45-vjeçari nuk e dinte nëse do të vazhdonte të ishte në krye të kombëtares tonë.
“Procesi Sportiv” bën me dije se mes kreut të FSHF-së, Armand Duka dhe Christian Panuccit është zhvilluar një takim që ka vendosur dhe të ardhmen e trajnerit.
Biseda është zhvilluar privatisht dhe duket se presidenti ka vendosur t’i besojë trajnerit aktual dhe për eliminatoret e kampionatit Europain.
Një vendim i guximshëm nga numri një i institucionit më të lartë të futbollit në vendin tonë, pasi dihet që një dështim i mundshëm në eliminatoret e “Euro 2020” do të ulte shumë dhe kreditet e tij.
Gjatë takimit bëhet me dije se trajneri është zbrapsur nga disa prej pikave të tij kyçe.
Italiani është shumë i kritikuar për zgjedhjet e tij teknike dhe taktike, ngecjen e rinovimit të kombëtares dhe marrëdhëniet me futbollistët.
Ai nuk ka as dashamirësinë e tyre, e as simpatinë e tifozëve shqiptarë që e cilësojnë atë si një shkaktarët kryesorë të dështimit dhe rënies së ekipit tonë.
Panucci ka bindjen se mund të ndryshojë diçka nga mekanizmat e skuadrës pavarësisht se i ka të gjithë kundër.