Skandali me lobimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rrezikon të fundosë kreun demokrat Lulzim Basha. Një vit më parë Basha shpenzoi 675 mijë dollarë për të lobuar në SHBA, por në KQZ deklaroi shumë pak. Kjo është në shkelje të ligjit dhe për këtë arsye nisën hetimet nga prokuroria. Më herët gazeta deklaroi se në Prokurorinë e Tiranës ka ardhur një dosje nga SHBA, në të cilën jepen të gjitha detajet e kontratave të PD me kompanitë lobuese. Por gazeta ka mësuar se shumë shpejt do të vijë dhe një provë akoma më e fortë.
Burime nga prokuroria bënë me dije se brenda këtij viti pritet të mbërrijë dëshmia e Nicolas Muzin. Ai është drejtor i kompanisë “Muzin Capitol Partners”, e cila loboi në emër të PD. Muzin ka dhënë dëshmi pranë autoriteteve amerikane, pasi dhe atje kanë nisur hetimet. Ai ka folur atje për lidhjet me Lulzim Bashën dhe dëshmia e tij shumë shpejt do të mbërrijë në Tiranë. Pas kësaj prokurori pritet të vendosë nëse do e dërgojë apo jo në gjykatë dosjen ndaj liderit demokrat. Burime nga grupi hetimor i thanë gazetës se ka përfunduar shqyrtimi i të gjitha të dhënave që kanë ardhur nga SHBA, ku janë verifikuar kontratat dhe të gjitha deklarimet financiare të bëra nga “Biniatta Trade LP”.
Por tani pritet intervista që ka dhënë Muzin para autoriteteve amerikane. Kjo dëshmi e tij shihet me shumë rëndësi, pasi vetë Muzin ka dhënë detaje se si u lidh me PD dhe të gjitha të dhënat mbi financat. Pra duket se SHBA ka gati dhe një dosje tjetër kundër Bashës dhe nëse prokuroria vërtetë do hetojë si duhet, mund të ketë zhvillime të forta në vend. Lulzim Basha u vendos nën hetim nga prokuroria, pas një investigimi të bërë nga mediat shqiptare dhe ato amerikane, mbi shpenzimet që janë bërë për lobime në SHBA. PD ka deklaruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rreth 160 mijë dollarë shpenzime, por në të vërtetë ka rezultuar se ka pasur një kontratë me vlerë 675 mijë dollarë me kompaninë “Biniatta Trade LP”.
Rritet monitorimi i partive
Partitë politike do të jenë në sitë sa i takon financave dhe shpenzimeve në zgjedhjet vendore të vitit që vjen. Gjatë 2017 shpërthyen disa skandale me lobimet jashtë vendit, por në zgjedhjet vendore ndërkombëtarët duket se do të rrisin monitorimin. PD është në hetim për lobimet, ndërsa po ashtu dhe LSI rezultoi se kishte lidhje me kompani fantazmë për lobimet jashtë vendit.
Gazeta ka mësuar se në zgjedhje do të jenë të angazhuar ekspertët e Këshillit të Europës, të cilët do të monitorojnë nga afër procesin e kontrollit financiar të partive. Në strategjinë antikorrupsion të miratuar nga qeveria, jepen dhe detaje mbi rolin e ndërkombëtarëve. Në raport thuhet se në bashkëpunim me ekspertët e Këshillit të Evropës janë hartuar draftet për raportimin Financiar dhe janë në proces konsultimi me ekspertët e IEKA-s. Po me ndihmën e KiE në datat 12, 13, 14 shkurt 2018, u zhvillua në ambientet e KQZ-së trajnimi me stafin e KQZ-së, (struktura e ngarkuar me detyra për financimin e partive) në lidhje me praktikat më të mira të Finlandës dhe Estonisë për auditimin e financimit të partive politike. Pra duket se ndërkombëtarët po marrin masa për të frenuar skandalet financiare të partive. /Kliti Topalli