Maqedonia duket se ka mbërthyer ish-kryeministrin e ndodhur prej ditësh në arrati, Nikola Gruevski. Policia ka goditur sot ‘kokën’ më të rrezikshme në vend, që di gjithçka mbi Gruevksin, vendndodhjen dhe planin e tij të arratisjes në Hungari, ku kërkoi azil politik.
Në pranga ka rënë njeriu më i afërt dhe i besuar i Gruevskit, i cili cilësohet dhe si krahu i tij i djathtë, ish-kreu i Shërbimit Sekret në Maqedoni, Sasho Mijallkov. Mediat maqedonase raportojnë se arrestimi i Mijallkov është bërë pak çaste më parë në Shkup. Akuzat që rëndojnë mbi Mijallkov janë ato për keqpërdorim pushteti dhe korrupsion.
Ai është vënë në pranga nga policia në hotelin e quajtur “Meriot” në kryeqytetin maqedonas. Mësohet se Mijallkov është dërguar për në burgun e Shutkës.
Arrestimi i tij erdhi pas dyshimeve se mund të arratisej nga vendi, njësoj siç bëri Nikola Gruevski një javë më parë, i cili udhëtoi në drejtim të Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë dhe mbërriti në Hungari ku ka kërkuar azil politik. Ish-kryeministri maqedonas është dënuar me dy vite burg nga gjykata për rastin “Tanku”.