Protestës së PD që kundërshton projektin e Unazës së Madhe iu bashkuan sot edhe dy organizatorët e protestave kundër ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar, Robert Budina dhe Ervin Goci.
Por, kujtojmë se para disa muajsh, në media u publikua se regjisori Budina dhe kolegu i tij, Kastriot Çipi, të cilët u vunë në krye të protestës kundër Teatrit të Ri, njëzet vite më parë morën miliona nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë për të realizuar një film dokumentar, por as pas dy dekadash nuk është realizuar.
Bëhet fjalë për një kontratë të lidhur me Qendrën Kombëtare të Kulturës (QKK), për realizimin e një filmi, kundrejt vlerës prej 8.8 milionë lekësh.
Dy regjisorët morën paratë nëpërmjet shoqërisë “ARTEMEDIA FILM shpk”, por nuk e prodhuan asnjëherë filmin për të cilin ishin paguar, duke bërë që çështja të përfundonte në gjykatë.
Pas disa seancash, Gjykata shpalli fajtorë regjisorët Çipi e Budina dhe vendosi detyrimin e tyre për të kthyer shumën e marrë, bashkë me kamatëvonesat.
Gjithsesi, pavarësisht një sage të gjatë shkresash me shoqëritë përmbarimore, ato para nuk u kthyen kurrë, pasi Zyra e Përmbarimit Tiranë, në vitin 2006 i bëri të ditur QKK-së se ka vendosur ta pushojë urdhrin e ekzekutimit, sepse të paditurit, pra Çipi dhe Budina, nuk kanë pasuri për shlyerjen e detyrimit.
Por, është fakt se Kastriot Çipi dhe Robert Budina, rezultojnë si të dënuar për vjedhje nga gjykata, me akuzën e përvetësimit të fondeve publike, që akordohen për realizimin e veprave artistike.